English

G-Bani: Muzika në Shqipëri, vlerësohet më shumë estrada se talenti

Suedi, 13 nëntor 2011, NOA /Ermira Babamusta /-Arban Përlala është emri i vërtetë i artistit mjaft të njohur Shqiptar G-BANi. Edhe pse është më se i afirmuar, Arbani mbetet shumë i thjeshtë dhe i çiltër në sjelljen e tij. Ndoshta kjo çiltërsi i ka dhuruar dhe mbështetjen fanatike nga mijëra simpatizantët që ka, të cilët e gjejnë veten tek vargjet e ti dhe tek mënyra e jetesës. Ai është si një fëmijë që kundërshton të rritet dhe ti nënshtrohet snobizmit dhe negativitetit që disponojnë me shumicë të mëdhenjtë dhe artistët me famë. Arbani ka disa vite që jeton në Suedi, ku edhe studion.

Përshëndetje Arban, si po ja kalon në Suedinë e ftohtë? Ç’ka të re nga muzika?

Përshëndetje Ermira, po ja kaloj mjaft ngrohtë. Aktualisht po studioj dhe për sa i përket muzikës po shkruaj tekste këngësh për artistë të tjerë, i jam përkushtuar kësaj karriere tani.

A ke menduar të shkruash tekste për këngëtarë Kosovarë?

Në fakt kam shkruajtur për këngëtarë Kosovarë. Së bashku me Flori Mumajesin kam pas shkruajtur vargjet e këngës Secret të këngëtares Nora Istrefi. Me shumë qef do shkruaja edhe këngë të tjera për artistë Kosovarë, pse jo.

Qysh kur ke filluar të shkruash, a është ky një pasion apo një profesion?

Shkrimin e kam pasion qysh në moshë të vogël. Është dhe profesioni im por nuk e shikoj kaq ftohtë, e kam zgjedhur sepse më pëlqen ta bëj. Prindërit e mi kanë patur shumë libra nëpër rafte, kur jetonim në Shqipëri. G.I. Joe dhe Lego nuk kishte atë herë, librat i kisha për lojra në shtëpi. I zhgarravisja, u shikoja fotografitë, i shfletoja dhe i lexoja. Vjershën e parë e kam shkruajtur 6-7 vjeç. Kur ja lexova nënës time nuk më besoi, më qortoi pse po e gënjeja. Tani që jam 30 vjeç dhe mbas shumë ‘‘vjershash’’ të tjera të publikuara dhe të vlerësuara nga qindra mijëra veta, tani engjëlli im e beson që e kisha shkruajtur vetë atë vjershën (qesh). Kam shkruajtur shumë tekste në jetën time, di se si ta bëj, është loja ime.

Nuk jam simpatizante e flaktë e rrymës HipHop por këngët e tua më kanë pëlqyer gjithmonë për tekstet që ke. Sidomos ajo kënga “Më ka munguar nëna”, është shumë prekëse..

“Më ka munguar nëna” është një histori të cilën e shkruajta për dikë që e kishte humbur nënën nga një sëmundje e pashërueshme. Ky njeri më kërkoi të shkruaja një këngë për nënën e tij por unë mendova ta trajtoj nga një këndvështrim më social atë që kishte ndodhur, duke e parë me sytë e fëmijës që i mungon nëna. Kur e shkruaja atë tekst e merrja nënën time orë dhe minutë në telefon për ta pyetur a është mirë sepse isha identifikuar me protagonistin e këngës, të paktën për sa kohë që po shkruaja vargjet. E dëgjoj rallë atë këngë sepse më trishton. Por më ka hapur dyer në karrierën time ai tekst, më kanë vlerësuar shumë njerëz të rëndësishme për hir të asaj kënge.

Ndër krijimet e fundit që ke pubikuar është edhe një këngë e cila bëri buj në publikun Shqiptar, për shkak të famës që kishte në internet dhe në media protagonisti i kësaj kënge, Lek Plepi. Si të erdhi ideja të shkruash një këngë të tillë?

Facebook kisha vënë re me keqardhje shumë komente negative dhe tallje për dikë që quhej Lek Plepi. Po më bezdiste ky sulm i padrejtë i dhjetëra mijëra vetave kundër një njeriu të vetëm, një fenomen turpi për shoqërinë shqiptare. Nuk më ka pëlqyer asnjë herë padrejtësia. Mbasi shikova dhe 2-3 emisione në disa media prestigjioze, ku tentuan sërish ta tallin këtë person dhe të luajnë me ëndrrën e tij, vendosa të them dhe unë opinionin tim me një këngë. Të bijat e Zeusit dhe të Mnemozinës ma dhanë pa asnjë kurrnacëri frymëzimin për ti shkruajtur vargjet, të tjerat janë histori.

Të bijat e Zeusit dhe të Mnemozinës, muzat, hyjneshat e artit. Ç’farë lidhje ke me femrat Arban?

I adhuroj femrat. Për veç kontekstit erotik, kam shumë respekt për femrën edhe si personazh, i japin shumë shoqërisë edhe pse shoqëria nuk i vlerëson aq shumë sa duhet. Por femrat kanë mënyrën e tyre për të marrë hak. Siç thotë ajo shprehja, mashkulli që zihet me femrën gjithë ditën, natën ka uri. Unë kam plot shoqe, nga eksperiencat me to kam mësuar gjëra që meshkujt edhe po ti dinë nuk ti tregojnë. Femrat kanë karakter të fortë, janë të zgjuara, të qeta, të vendosura dhe të patundura në idealet, planet dhe ëndrrat që kanë.

Cili është statusi yt tani, a je i fejuar, i martuar, single?

Jam shumë mirë, faleminderit (qesh).

Do martohesh me Suedeze, me Greke, me Shqiptare apo me..?

..po sikur të martohem me Afrikane? Dashuria nuk njef komb, as fe, as shtet, as ngjyrë. Ndoshta me Suedeze, ndoshta me Kosovare, nuk i dihet..

Ti rikthehemi muzikës..

..ndoshta me Afrikane (qesh).

Ti rikthehemi muzikës, a je i kënaqur nga niveli në skenën Shqiptare?

Është ç’farë është, it is what it is. Nuk ja vlen ti hedhësh të gjithë poshtë por as ti mbivlerësosh. Ka vend për përmirësime, besoj duhet të vlerësohet më shumë talenti nga estrada sepse talente kemi. Është gjynaf të humbasin sepse po tu jepet ajo ç’ka u takon, e gjithë estrada do përfitoje.

Ç’farë vlerësohet nga estrada në qoftë se nuk vlerësohet talenti?

Një pjesë e mirë e estradës përbëhet nga njerëz të babëzitur të cilët e vlerësojnë vezën sot dhe jo pulën mot.

Shumë artistë të ri ëndërrojnë të bëhen pjesë e estradës. A është me të vërtetë bota e show biz një botë plot me privilegje?

Bota e Show Biz ka shumë privilegje, por ‘‘There's no such thing as a free lunch’’. Talenti nuk mjafton, diçka duhet të japësh në këmbim të privilegjeve. Paratë, shpirtin, trupin? Në fund të ditës, leku shkon te leku dhe keku te byreku (qesh).

Ç’farë ju sugjeron këtyre artistëve të ri, të jenë positiv apo negativ karshi ëndrrës për tu bërë pjesë e estradës? Më ngatërrove..

..mbrapsht po luhet loja, thoshte një njeri i zgjuar kur vajta në Kosovë. Secili le të ndjek pasionin e tij, shenjat do ja tregojnë rrugën. Që të mësosh do bësh edhe gabime, jeta nuk na erdhi në kuti me udhëzime përdorimi.

Ke prirje për dipllomaci, nuk po më jep përgjigje absolute. A je penduar ndonjë herë që ke zgjedhur rrugën e artit?

Nuk ka përgjigje absolute, ka pyetje të zgjuara. Varet se ç’farë kërkon secili nga jeta, le ti bëje pyetjen vetes dhe do ta gjeje përgjigjen që i përshtatet më mirë rastit të ti. Sa për mua, nuk jam penduar për asnjë moment që krijoj art, jam shumë krenar që jam artist.

Me ndjenjën e bukur të krenarisë le ta mbyllim këtë intervistë. Të falem nderit G-BANi dhe suksese të mëtejshme!

Unë të falem nderit Ermira, gjithashtu suksese!

NOA

KOMENTE