English

Panairi i Librit, Helena Kadare shpallet “Autori i vitit”

Tiranë, 12 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Helena Kadare, bashkëshortja e shkrimtarit tonë të madh, Ismail Kadare, është shpallur “Autori i Vitit”, për librin e saj më të fundit “Kohë e pamjaftueshme”, raporton agjerncia NOA.al.

Libri voluminoz, ku zonja Kadare ka shkruar me një gjuhë të zgjedhur kujtimet e jetës së saj me shkrimtarin, ka bërë bujë të madhe në media, për shkak të disa rrëfimeve të veçanta, që flasin për historitë e panjohura të njohjeve apo flirteve, siç janë përfolur në media, të të madhit të letrave shqipe.

Gjatë marrjes së çmimit në Panairin e 14-të të Librit, shkrimtarja Helena Kadare, e cila i ka kushtuar 15 vite jetë këtij libri kujtimesh do të shprehej kështu:

“Jam emocionuar, që vij tek lexuesi shqiptar pas një kohe shumë të gjatë, por më besoni nuk ka qenë kohë e humbur kot, sepse kam 15 vjet, që merrem me këtë libër, që prezantova në panair. Është një punë e gjatë, e përditshme dhe këmbëngulëse, asnjë çmim tjetër nuk do të më jepte më shumë kënaqësi se ky që mora sot. Dallova se juria përbëhet nga njerëz, që kanë shumë respekt dhe e çmoj shumë, që mora një çmim prej tyre. Kam besim që puna ime nuk shkoi dëm”, do të vlerësonte e emocionuar zonja Kadare.

Rrëfimet e saj të shkruara aq bukur dhe me vërtetësi kanë hedhur dritë mbi shumë të panjohura të jetës së saj tejet të veçantë me një njeri si Ismail Kadare, që është e padiskutueshme, që nuk do të ishte si çdo burrë tjetër.

Ai ishte një gjeni i letrave dhe i adhuruar nga shumëkush.

Ishte zgjedhje e Helena Kadaresë që t’i botonte kujtimet e saj me gjeniun e letrave shqipe, kujtime, që tregojnë si adhurimin e saj për bashkëshortin ashtu edhe dashurinë dhe kuptimin për personalitetin e pangjashëm të Ismail Kadaresë, i demonstruar përmes kujtimeve të saj.

Zonja Kadare pak ditë më parë, duke komentuar abuzimet lidhur me kujtimet e saj, u shpreh se janë ngritur debate të ulëta e aspak serioze, ndërkohë që libri është shkruar me shumë seriozitet.

Gjatë kësaj të shtune, juria e Shoqatës së Botuesve Shqiptarë i dha çmimin si “Përkthyesi i vitit” Shpëtim Çuçkës për përkthimin e veprës së Umberto Eko-s, “Histori e bukurisë”.

Çmimi special i jurisë, i cili i kushtohej autorëve të panjohur, iu dha poetit Muhamed Ademi; “Libri më i mirë për fëmijë” u vlerësuar revista “GrupSat”, ndërsa “Stenda me paraqitje më të mirë”, ajo e shtëpisë botuese “Pegi”.

Për pesë çmimet e Panairit të Librit konkuruan 100 tituj nga 25 shtëpi botuese.

mit/NOA

KOMENTE