English

Pas Papandreut dorëhiqet Berluskoni, shpërthen festa në Italinë fqinje

Romë, 12 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Pas dorëheqjes së kryeministrit grek Jorgos Papandreu në Greqi dy ditë më parë edhe kryeministri italian Silvio Berluskoni dha sonte në mbrëmje dorëheqjen. Dy vendet më të goditura nga kriza financiare, që ka kapluar vendet e bllokut të Eurozonës janë tashmë në pikënisje të drejtimit të tyre nga qeveritë teknike, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Por, ndërsa qeveria greke është deklaruar dhe pret votëbesimin, ajo italiane është në ankthin e konsultimeve për emrat e kabinetit, ndërkohë, që si kryeministër i qeverisë së re, i vetmi emër i përfolur është ai i ish-Komisionerit të BE-së, Mario Monti.

Për të disatën herë brenda 20 viteve të fundit, kryeministri italian Silvio Berluskoni dha sot dorëheqjen mes kundërshtimesh të mëdha politike, duke i hapur rrugën kështu krijimit të një qeverie teknike.

Në orën 21.00, kavalieri e dorëzoi dorëheqjen e tij në duart e Presidentit të Republikës Giorgio Napolitano, ndërsa një turmë e madhe italianësh ulërinte me të madhe me fraza kundër tij, e me thirrje gëzimi për një liri të arritur tashmë.

Berluskoni i shumëpërfolur mediatikisht u tradhtua edhe nga mbështetësit e tij kyç.

Sekretari i Përgjithshëm i Presidencës italiane, Donato Marra ishte ai që bëri publik lajmin e dorëheqjes së Berluskonit.

Pas dorëheqjes, ish-kryeministri nuk denjoi të kalonte nga pjesa e përparme e sheshit të pallatit Quirinale, ku një turmë e madhe kishte shpërthyer në festë.

Ai iku nga dera e pasme e pallatit, duke mos lënë asnjë deklaratë.

Tashmë i mbetet Kreut të Shtetit italian, që pasi dekretoi me urgjencë Ligjin e Stabilitetit, që i hapi rrugën dorëheqjes së Berluskonit, të zgjidhë sa më parë çështjet e ngutshme, atë të krijimit të qeverisë teknike.

Për këtë arsye, bëhet me dije, se Presidenti Giorgio Napolitano, ka thirrur konsultimet me liderët politikë, që në orën 9.00 të mëngjesit të së dielës.

Kështu të dielën, Napolitano do të presë në takime të veçanta, kreun e Senatit Renato Schifani; kreun e Dhomës së deputetëve Gianfranco Fini; si dhe përfaqësuesit e të gjitha partive italiane të përfaqësuara në Parlament.

Pak përpara se të zyrtarizohej dorëheqja e Berluskonit, presidenti amerikan Barack Obama përshëndeti zhvillimet pozitive në Itali e Greqi.

mit/NOA

KOMENTE