Santarcangelo, 13 nëntor, NOA – Krijimi i një zinxhiri për prodhimin e vajit të ullirit ekstra të virgjër, në pellgun e Adriatikut që përfshin tre vendet Itali, Greqi dhe Shqipëri, ka qenë në qendër të një konference të posaçme mbajtur në Itali.
Lajmi i bërë me dije nga mediat vendase, citon se tematika e konferencës ishte e fokusuar në çështjet që lidhen me humbjen e identitetit dhe të vlerave të ndryshimeve të territorit për këto tre vende kyç në territorin mesdhetar.
Konferenca, e bërë në kuadrin e Programit “IPA Adriatik”, konkretisht projektit "Adriatic Olive Grove", ishte kushtuar "kujtesës së fshatarëve" (njohjes së muzeve dhe kujtesës së terrenit mbi mjedisin, biodiversitetin dhe qëndrueshmërinë e tij si një burim për të ardhmen).
Sipas të dhënave, prodhimi i vajit të ullirit në krahinën e Rimini llogaritet për më shumë se 50 për qind e prodhimit rajonal.
"Cilësia, - u shpreh Këshilltari për Bujqësi i Provincës së Riminit, Juri Magrini, është parakusht i një politike që synon promovimin jo vetëm produktit por edhe territorit ku ai rritet”. Magrini e ka përshkruar kështu qëllimin e projektit "Adriatik Olive Grove", i cili ka filluar prej disa muajsh dhe do vazhdojë përgjatë tre viteve të fundit.
Ai do të shërbejë për të ndihmuar në përmirësimin e cilësisë së vajit të ullirit në vendet e Mesdheut si Italia, Greqia dhe Shqipëria, duke mbajtur të paprekur fshatrat dhe duke promovuar turizmin e qëndrueshëm".
"Objektivat janë të arritshme, - vazhdoi Magrini – nëse inkurajojmë zhvillimin e bujqësisë organike dhe të integruar, si edhe optimizmin e menaxhimit të mbeturinave dhe nënproduktet e ullinjve për energji, me qëllim që të zhvillojmë një marketing të prodhimeve dhe të të ardhurave për operatorët e industrisë".
Provinca e Riminit, si një partner për të marrë pjesë në projektin "Adriatik Olive Grove", ka si partnerë të saj Universitetin e Korfuzit, si edhe atë të Tiranës.
Në fjalimet e ndryshme gjatë kësaj konference, edhe përfaqësuesit e Shqipërisë, folën mbi projektet e qeverisë shqiptare për mbështetjen e prodhimit të vajit të ullirit, duke dhënë përvojën e tyre në këtë fushë.
n.e/NOA