Tiranë, 13 nëntor 2011, NOA – Edhe këtë të dielë, kryetari i PS-së, Edi Rama ka përdorur profilin e tij në rrjetin social Twitter për të komentuar deklaratat e sotme të kryeministrit Berisha në Petrelë për taksat.
“Për cilët të pasur e ke fjalen Sali, për 99% të tyre që po i mbyt apo për 1% që po i majm? Të gjithë do paguajnë sa u takon. 95% e shqiptarëve do paguajnë më pak, ndërsa biznesmenët do shpëtojnë nga kthetrat e bizneseve të pushtetit”, ka shkruar Rama në “Twitter”. Rreth mesditës, kryeministri Berisha, gjatë vizitës së tij në panairin e Agro-Biznes-Turizmit në Petrelë përsëriti se qeveria e tij nuk do t`i dëmtojë fermerët duke rritur taksat.
"Qeveria nuk do të rrisë taksat për fermerët e bizneset, siç kërkon Rama në një udhëheqje arkaike ndaj të pasurve. Problemet zgjidhen duke bërë çdo gjë që të varfërit të rimëkëmben, do vendosim rregulla lehtësuese për fidanet. Nëse ti rrit taksat, nuk bën gjë tjetër vecse rrit përçarjen”, deklaroi Berisha.
a.q/NOA