English

Shansi i dhjetorit

"Kjo alibi e maxhorancës bie menjëherë kur vërtetohet se vetëm në dy vitet e fundit, që përkojnë me krizën më të thellë jo vetëm financiare të BE, vendet e tjera të Ballkanit janë mirëpritur për t‘iu afruar apo bashkuar BE-së".

Nga Arben Malaj

Në sfidën e integrimit duket se një mundësi e re i është ofruar vendit tonë. BE ka përsëritur mesazhin se në këtë dhjetor do të rivlerësojë plotësimin e kushteve për marrjen e statusit të vendit kandidat. Ne kemi dështuar për herë të dytë në dyert e Europës. Ambasadori i BE në Tiranë, Etore Sekui, në prezantimin e progres-raportit, qartësoi se: “Ecuria e Shqipërisë drejt BE-së është ngadalësuar nga ngërçi politik”. Përparimi i cunguar i reformave të planifikuara, bllokimi i ligjeve me shumicë të cilësuar, një jetë politike konfliktuale dhe problemet në zgjedhjet e fundit, ishin pikat më të dobëta të Shqipërisë, që kanë sjellë edhe humbjen e përsëritur të kandidaturës për vend kandidat i BE-së. Ne nuk mund të justifikojmë dështimin tonë me problemet e Europës. Kjo alibi e maxhorancës bie menjëherë kur vërtetohet se vetëm në dy vitet e fundit, që përkojnë me krizën më të thellë jo vetëm financiare të BE, vendet e tjera të Ballkanit janë mirëpritur për t‘iu afruar apo bashkuar BE-së. Kroacia, përfundimisht ka një vendim politik të BE-së për t’u bërë vendi i 28-të i saj. Mali i Zi, pasi fitoi statusin e vendit kandidat, hapi negociatat për kapitujt e marrëveshjes së anëtarësimit. Maqedonia bëri një hap përpara drejt anëtarësimit, përmbylli negocimin e të gjithë kapitujve të marrëveshjes dhe pret zgjidhjen e krizës së emrit për të ecur më shpejt. Serbia e fitoi statusin e vendit kandidat. Ndërsa Shqipëria ka dështuar dy herë në marrjen e statusit të vendit kandidat, kjo kryesisht jo se vendet e tjera ecin më shpejt, por se ne po ecim shumë ngadalë, duket sikur kemi ngecur në vend. Ne nuk kemi plotësuar akoma 12 kriteret e vëna nga BE. Kjo ka ndodhur edhe për shkak të ngërçit politik, sepse politika nuk trajtohet si mundësi, ku konkurrohen alternativa, por si një betejë ku palët kryesisht grinden, duke mos ndjekur prioritetet e vendit dhe ku kryetarët e partive vënë interesat personale mbi sfidat e vendit. Ajo që duhet të bëjë klasa jonë politike është qartësuar në mënyre të përsëritur nga BE dhe SHBA. Kërkohet të merret përgjegjësia për të dalë nga ngërçi, kërkohet të provohet vullnet real politik për të përmbushur 12 kushtet e BE-së, kërkohet të eliminohen vonesat dhe spontaniteti në plotësimin e reformave, duke filluar me reformën zgjedhore dhe ligjet me shumicë të cilësuar. Komisioneri për Zgjerimin, Stefan Fyle, ka ritheksuar se vlerësimi për Shqipërinë do të jetë i balancuar dhe objektiv, se “do të bëjmë vëmendje të veçantë në respektimin e detyrimeve të vendosura nga Marrëveshja e Asociim-Stabilizimit dhe në plotësimin e kritereve të Kopenhagës”. Këto sfida do të mbeten të vështira nëse nuk eliminojmë ripërsëritjen e ngërçeve dhe radikalizimit politik. Këto sfida kërkojnë një bashkëpunim të drejtpërdrejtë dhe dialog real e produktiv mes të gjitha palëve. Sa më shpejt të plotësojmë kriteret, aq më mirë do të jetë për Shqipërinë dhe shqiptarët. Sa më vonë këto kritere do të plotësohen, ne rrezikojmë të jemi vendi me kohën më të gjatë në radhën e pritjeve për të marrë statusin e vendit kandidat. Oferta që BE i ka bërë Shqipërisë për një rivlerësim në takimin e dhjetorit 2011, duhet parë si një mundësi jo e zakonshme që mban parasysh ndoshta edhe riskun e zhvillimeve politike gjatë dy viteve të ardhshme. Gjatë vitit 2012 ne jemi përballë një ngjarjeje shumë të rëndësishme, zgjedhjen e Presidentit dhe përfundimin sa më parë të reformës zgjedhore, të cilat jo detyrimisht duhen parë si risqe, ato mund të jenë edhe zhvillime pozitive në funksion të mos dështimit për herë të tretë. Por, nëse zhvillimet politike të vitit 2012 do të jenë zgjatim i eksperiencës së deritanishme, mundet që politika të tensionohet dhe ne të gjendemi në një risk të rritur për të mos fituar statusin edhe në atë vit.Gjithashtu, në 2013-n janë zgjedhjet parlamentare, ato mund të mbarojnë në fund të korrikut, rezultatet elektorale janë bërë të ngushta. Mundësitë për vonesa të nxjerrjes së rezultateve janë më të mëdha. Rigrindjet politike për standardet e votimeve më të mundshme, që do të thotë se koha e mbetur për liderët europianë për një vendim pozitiv për atë vit, mund të jetë shumë e shkurtër. Ja pse dhjetori 2011 mbetet mundësia më e mirë për të fituar jo pak nga koha e humbur në dështimet e përsëritura për statusin e vendit kandidat. Disa hapa pozitivë kanë filluar, opozita është kthyer në Parlament, të shpresojmë se bojkoti do të jetë përfundimisht një kujtim nga e kaluara, dhe jo më një strategji apo taktikë e çdo opozite në Shqipëri. Ngërçet politike duhet të zëvendësohen me bashkëpunimet për prioritetet e vendit, duke filluar nga reformat politike dhe sfidat e ekonomisë dhe financave publike. Një draft propozimesh për ligjet me shumicë të cilësuar është propozuar nga opozita, kërkohet që maxhoranca të mos e paragjykojë dhe të mos vonohet fillimi i punës. BE po na ofron një mundësi të re, ne duhet ta fitojmë atë sa më parë.

Gazeta "Panorama"

KOMENTE