Petrelë, 13 nëntor 2011, NOA – Kryeministri Berisha deklaroi sot në mesditë se, qeveria shqiptare do të bëjë gjithçka, që në çdo fshat të ketë infrastrukturë dhe do të mbështetet ruajtjen e traditave të shkëlqyera të prodhimit bujqësor dhe frutor prej tyre.
Premtimin, kreu i qeverisë e dha gjatë Panairit Të Agro-biznes-turizmit, i cili është çelur në Petrelë.
“Sot jemi në zemër të tregut më të madh të botës, që është tregu i BE. Të bëjmë gjithçka për të rritur prodhimet tona të mrekullueshme. Në asnjë vend tjetër nuk janë prodhimet më të shijshme se këtu, ullinj të shijshëm si Tirana, Mallakastra, Berati e Elbasani nuk prodhohen askund. Qeveria do shtrijë infrastrukturën për t’iu ardhur në ndihmë. Fshatrat e komunat tuaja nuk do kenë ndryshim nga lagjet e qyteteve tona, as nga komunat e vendeve të Evropës”, deklaroi kryeministri, ndërsa kërkoi nxitjen e prodhimit të frutorëve.
“Le të qindra-fishojmë drurët frutorë. Të mbjellim çdo pëllëmbë tokë në komunat tuaja, për të shtuar begatinë e sigurt për familjet tuaja. Ju takon juve, që t’i shndërroni komunat në zona të rëndësishme prodhimi, pasi ato kanë gjithashtu një potencial të madh turistik për t’u promovuar”, tha kryeministri përpara banorëve të Petrelës, Farkës dhe Baldushkut.
Berisha përsëriti se qeveria e tij nuk do t’i dëmtojë fermerët duke rritur taksat.
"Qeveria nuk do të rrisë taksat spër fermerët e bizneset, siç kërkon Rama në një udhëheqje arkaike ndaj të pasurve. Problemet zgjidhen duke bërë çdo gjë që të varfërit të rimëkëmben, do vendosim rregulla lehtësuese për fidanet. Nëse ti rrit taksat, nuk bën gjë tjetër vecse rrit përçarjen”, deklaroi Berisha.
Panairi i Agro – Biznes – Turizmit synon promovimin e prodhimeve tradicionale të zonave si edhe promovimin e zonës piktoreske në periferi të kryeqytetit, e cila është bërë më e prekshme dhe më e afërt për turistet vendas dhe të huaj, për shkak të kompletimit të infrastrukturës me rrugët kombëtare dhe dytësore.
a.q/NOA