English

Topalli: Duhet të jemi të vërtetë

Pogradec, 12 nëntor 2011, NOA – Skënder Çela dhe Mark Toçi ishin dy të rinj, që mes shumë të tjerëve, besonin në vitet e errëta të diktaturës, ëndrrën e një Shqipërie të lirë dhe të drejtë.

Por si shumë të tjerë edhe ata, në një natë terrori në terr të natës u këputën pabesisht, pa gjyq dhe me plumba pas shpine, mandej u hodhën diku, ku as sot e gjithë ditën nuk po gjenden më.

Kjo histori e dhimbshme u përkujtua gjatë vizitës së sotme në Pogradec, të Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli, e cila nderoi dy të rinjtë Mark Toçi dhe Skënder Çela të pushkatuar në dhjetor të vitit 1946 nga regjimi komunist.

Pas kërkimeve shumëvjeçare të aktorit të mirënjohur Mirush Kabashi, nip i Skënder Çelës, si dhe të gazetarit Fatos Baxhaku e autoriteteve vendore, eshtrat e dy të rinjve nuk janë gjetur ende.

Pranë memorialit të ngritur në nderim të dy të rinjve, Kryetarja e Kuvendit u shpreh se “kjo ditë është një ditë kujtese pas 65 vitesh. Një ditë kujtese e mbushur me dhimbje të forta, jo vetëm për familjarët e këtyre dy të rinjve, por për të gjithë ne. Kjo ditë është në kujtim të sakrificës së nënës, motrave të tyre, dhe gjithë atyre që kanë përjetuar terrorin dhe represionin, që ai sistem solli në këtë vend”.

Duke u përulur para sakrificës së dy të rinjve, zonja Topalli tha se “kjo është vetëm një pjesë e historisë së terrorit; është vetëm një rrëfim i historisë së një djali me emrin Skënder Çela dhe e një tjetri, me emrin Mark Toçi.

Kryeparlamentarja nënvizoi se kjo është një ditë kujtese, dhe një ditë nderimi me përulje ndaj dy djemve të rinj, dy studentëve që mendonin se duke studiuar do t’i shërbenin më mirë vendit të tyre.

Ajo rishtas inkurajoi historianët të rishkruajnë faktet historike, ndërkohë që ftoi ata që kanë dëshmi, të flasin për terrorin e asaj periudhe.

“Shkruani historinë, e mos u ndikoni nga çfarë themi ne. Mos u ndikoni nga asnjë lloj propagande, por shkruani atë që është e vërtetë. Të vërtetën!. Ne duhet të jemi të vërtetë me të vërtetën e historisë tonë ! Ne duhet të jemi të vërtetë me fëmijë tanë; ne duhet të jemi të vërtetë me vendin tonë”, tha Kryetarja Topalli.

Ajo falenderoi ish-Presidentin e asaj periudhe, sot kryeministri Sali Berisha, që i dha titullin “Martir i Demokracisë”, Skënder Çelës e Mark Toçit.

Kryeparlamentarja Topalli vlerësoi se memoriali kushtuar dy martirëve në Pogradec është memorial për të gjithë ata, që gjatë diktaturës u vranë pabesisht, paburrërisht në mënyrën më çnjerëzore.

mit/NOA

KOMENTE
  • livalu Ligor Luarasi23:47 - 12 Nëntor 2011
    “Shkruani historinë, e mos u ndikoni nga çfarë themi ne. Mos u ndikoni nga asnjë lloj propagande, por shkruani atë që është e vërtetë. Të vërtetën!. Ne duhet të jemi të vërtetë me të vërtetën e historisë tonë ! Ne duhet të jemi të vërtetë me fëmijë tanë, ne duhet të jemi të vërtetë me vendin tonë”, tha Kryetarja Topalli. Znj. Topalli me bejne shume pershtypje fjalet:....mos u ndikoni nga c'fare themi ne..Si,pse,cilat jane fjalite e tua per te cilat x-ks shqiptar s'duhet te ndikohet? Me tej lexoj:....ne duhet te jemi te vertete me femijet tane,me vendin tone". duhet te jemi eshte nje folje qe ta con mendjen se edhe s'kemi qene te vertete me femijet tane o me atdheun tone. Qe mos linde ky dyshim mendoj se duhej thene:Ne kemi qene te vertete me femijet tane dhe me atdheun tone. Ju lutemi na ndihmoni ti kuptojme drejt keto fjalite e me siperme,sepse na lindin pa qartesira.Kush jane futur tek peremri ne,ky peremer ka kuptimin se edhe ju beni pjese ne te,ndoshta gaboj,ndaj presim nje sqarim te qartesohemi jo te rijme te turbullt nga ky lexim i fjalive te me siperme.Me paqartesira as Evropa s'na pranon? Pershendetjet tona dhe suksese konkrete ne 12 prioritetet.