Laç, 13 nëntor 2011, NOA – Një polic rrugor në zonën e Fushë-Krujës ka gjetur vdekjen në mes të rrugës, i shtypur nga një automjet, që kalonte me shpejtësi.
Korrespondenti i agjencisë NOA bën me dije se polici i rrugores Gjovalin Tusha, rreth të 40-ve, është aksidentuar për vdekje pak minuta më parë në rrugën, që lidh qytetin e Laçit me autostradën.
Policia e Fushë-Krujës, e cila ka mbërritur në vendngjarje ka dërguar në Spitalin Ushtarak policin e lënduar rëndë, i cili nuk ka mundur t’i shpëtojë paq aksidentit të rëndë.
Por, forcat e policisë bënë me dije se drejtuesi i mjetit është lokalizuar dhe ai është Esat Cakoni, i cili pas aksidentit është larguar me shpejtësi për të mos u identifikuar nga radarët, duke lënë në mes të rrugës policin e aksidentuar.
Në këto momente blutë e komisariatit të zonës po punojnë për sqarimin e rrethanave të aksidentit, që dyshohet se është shkaktuar nga tejkalimi i normave të shpejtësisë, duke mos i kursyer jetën policit rrugor, i cili ishte në detyrë për të rregulluar trafikun në zonën e aksidentit. Vijon...
mit/NOA