Tiranë, 14 nëntor 2011, NOA - Ambasadorja britanike në Tiranë Fiona Mclwham deklaroi në Shkollën e Magjistraturës se sistemi gjyqësor në Shqipëri duhet të jetë i fortë dhe i pavaruar, ashtu siç kërkohet nga Bashkimi Europian. “Mungesa e pavarësisë dhe profesionalizmit në sistemin gjyqësor ka impakt negativ mbi besimin e publikut tek ky sistem. Nuk duhet vetëm të bëhet drejtësi, duhet parë që po bëhet drejtësi. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha ambasadorja britanike.
Sipas saj, meritokracia, pavarësia, profesionalizmi dhe respekti për të drejtat e njeriut janë kërkesa të detyrueshme për çdo gjyqtar, apo aktor të sistemit të drejtësisë. “Shteti i së drejtës dhe drejtësia janë në themel të vlerave të Mbretërisë së Bashkuar dhe BE-së dhe zemra e një demokracie funksionale dhe të suksesshme. Një sistem gjyqësor i fortë dhe i pavarur është një kërkesë që Shqipëria të përparojë në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Për gjithë këto arsye, ne kemi dhe do vazhdojmë të fokusojmë mbështetjen tonë në reformën e drejtësisë në Shqipëri”, tha diplomatja britanike. Në vlerësimin e ambasadores, mungesa e ndonjërës prej tyre ka një impakt negativ mbi besimin e publikut tek sistemi i drejtësisë duke shtuar se nuk duhet vetëm të bëhet drejtësi, duhet parë që po bëhet drejtësi. a.q/NOA