Rio de Janeiro, 13 nëntor 2011, NOA – Kur sapo kish kaluar ora 7 e mëngjesit, të së dielës, me orën lokale të Brazilit, policia ushtarake e vendit amerikano-latin vuri nën kontroll lagjen më të madhe të Rio de Janeiros, lagjen “Rocinha”, e cila ishte gropa e zezë e trafikut të drogës në qytet, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Ishte vetë shefi i forcave ushtarake të Rio de Janeiros, Alberto Pinheiro Neto, që lajmëroi finalizimin e aksionit të nisur, qysh në orët e para të agimit, duke shtuar se gjatë aksionit nuk pati të shtëna.
Bastioni i drogës “Rocinha”, një nga lagjet më të varfra të kontinentit amerikano-latin i është dorëzuar tashmë banorëve të saj, pas zaptimit prej disa dekadash nga kriminelët e shpërndarësit e drogës.
Ky aksion i forcave të policisë ushtarake braziliane u ndërmor për të pastruar këtë zonë nga kriminelët dhe për të qetësuar banorët përpara Kampionatit Botëror të Futbollit të vitit 2014, që do të mbahet në Brazil dhe Olimpiadës së vitit 2016.
mit/NOA
Në foto: Pamje nga lagjia "Rocinha" në Rio de Janeiro, në Brazil.