English

Buxheti 2012, debate në komisionet kuvendore

Tiranë, 14 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Projekt/buxheti i qeverisë për vitin e ardhshëm ka nisur të diskutohet në komisionet kuvendore, duke u shoqëruar me përplasje mes mazhorancës dhe opozitës. Kjo e fundit, sikundër paralajmëroi ditë më parë edhe kreu i PS-së, Edi Rama nuk ka pranuar të votojë në parim propozimin ekonomik të qeverisë demokrate për 12 muajt e ardhshëm. Kështu, në Komisionin Kuvendor të Ligjeve, projekt/buxheti 2012 është miratuar vetëm me votat e mazhorancës, pasi opozita ka refuzuar votimin.

“Buxheti është i dështuar, të ardhurat për vendoret janë më ulta se një vit më parë”, tha socialisti Bashkim Fino, anëtar i komisionit.

Ndërsa, në komisionin e ekonomisë, të majtët janë larguar pasi kanë replikuar me deputetët demokratë lidhur me programin ekonomik të 2012-tës.

“Diskutimi të bëhet në nivel politik”, tha deputetja socialiste Mimi Kodheli, që në fillim të mbledhjes së komisionit ku ajo është nënkryetare.

Kodheli ka kërkuar drejtues politikë të ministrisë së financave. Kjo ka bërë që mbledhja të shtyhet për orët e pasdites

Projekti i qeverisë për buxhetin

Sipas kyeministrit Sali Berisha “ky është buxheti më i madh në historinë e vendit. “Buxheti i viti 2012 është hartuar nga ministria e Financave, bazuar në objektivat e garantimit të stabilitetit makro ekonomik. Pra siç jemi zotuar, nuk ka dhe nuk mund të ketë rritje të borxhit, por vetëm ulje të tij, nuk ka rritje të defiçitit buxhetor, por vetëm ulje të tij. Kemi vendosur ta përqëndrojmë ne objektin më madhor rritja e pagave dhe pensioneve. Vitin e ardhshëm do jemi një ndër vendet më të pakta që rrisin rrogat, pensionet dhe ndihmën ekonomike”, u shpreh Berisha ditë më parë.

Duke theksuar se qeveria shqiptare është një ndër të paktat që vitin e ardhshëm do të rrisë pagat dhe pensionet, kreu i ekzekutivit tha se zemra e dhimbsur është dhe do mbetet zemra e vërtetë e kësaj qeverije, ndërkohë i bëri thirrje opozitës që të votojë këtë nismë për familjet shqiptare që kanë më shumë nevojë. “Ne rezultojmë në pozicionin e 17-të në botë në raportin rroga-produktivitet. Viti 2012 nuk është një vit elektoral, nuk e bëjmë për qëllime elektorale, siç është përpjekur opozita të cilësojë politikën e rritjes së rrogave dhe pensioneve. Uroj që të biem dakord në Parlament dhe kësaj radhe pasi kanë votuar për vite kundër tyre ta bëjnë zemrën gur dhe të votojnë për këtë rritje, sepse pensionistët shqiptarë, punonjësit e administratës dhe familjet e tyre kanë nevojë për të ardhura. Ta recitojnë këngën e orizit çdo seancë parlamentare, do kish qenë shumë më e dobishme të votojnë rritjen e rrogave dhe pensioneve që kemi dërguar në parlament për çdo buxhet”, nënvizoi Berisha.

a.q/NOA

KOMENTE