English

Kufijtë e frikshëm, një dekadë më pas

Ka kaluar një dekadë që kur kemi lënë mbrapa nesh telat me gjemba, kufijtë e frikshëm, kalimet e ndaluara dhe dëbimet e dhunshme.

Lamë mbrapa historinë e padrejtë: Kufijtë që ndanin. Pra, për këtë ditë është bërë luftë e drejtë dhe çlirimtare. Për këtë ditë janë çarë shkëmbinj e shembur bjeshkë. Vetëm që njëherë e përgjithmonë prapa nesh të mbesin robëria dhe izolimi. Pa lirinë e Kosovës ky projekt nuk do të jetësohej...

Nga Hashim Thaçi

.. Sot ëndrra po e bëhet realitet. Prandaj, të gjithë i gëzohemi natyrshëm kësaj autostrade, ashtu si i gëzohemi lirisë dhe pavarësisë së Kosovës.

Përmes saj do të përpiqemi ta zëmë kohën e humbur dhe ta korrigjojmë padrejtësinë dhe prapambetjen shekullore.

Kjo është autostradë e humanizimit të natyrës sonë.

Kjo është Autostrada e jetës së re.

Autostradë në shërbim të qytetarëve.

Në të do të qarkullojnë bashkëkombësit tanë, qytetarët e rajonit dhe të botës, bashkatdhetarët tanë.

Në të do të lëvizin lirshëm njerëzit për t’i përmbushur funksionet e jetës, në përpjekje për ta ngritur dhe ndërtuar ëndrrën e lumturisë njerëzore dhe familjare.

Në të do të lëvizin punëtorë e studentë, të rinj e të reja, biznesmenë e profesionistë të tjerë, farmerë, familjarë e turistë në kërkim të ëndrrës dhe synimit të tyre - suksesit, progresit dhe mirëqenies.

Zonja dhe zotërinj,

Ky është projekti i Kosovës së re. I Kosovës Evropiane.

Projekti më i madh dhe më modern ndërtimor në historinë e Kosovës.

Projekti i vullnetit të qytetarëve dhe vizionit politik të shtetit tonë.

Ky projekt është civilizim dhe emancipim, që ndanë përjetësisht epokat, botën e re nga e vjetra.

Është projekt i shekullit të ri, i lirisë, pavarësisë dhe integrimit.

Projekt i gjeneratës dhe mentalitetit të ri mirëqeverisës.

Është projekti i evropianëve të rinj.

Projekt që hap dhe demokratizon kufij – që thyen barrierat e së kaluarës, dhe hap horizontin e së ardhmes.

Kjo është autostrada më moderne në rajon.

Punimet e këtij segmenti janë mbyllë me afat rekord.

*** 38 kilometërshi i Autostradës, Kosovën e gjen shtet të njohur nga 85 vende të botës.

Kosova e pavarur dhe demokratike ka perspektivë të qartë dhe po hyn e sigurt në etapën e modernizimit.

Ne që kemi besuar në projektin madhor të çlirimit të Kosovës dhe të pavarësisë së saj, do të jemi këmbëngulës edhe në realizimin e projektit të tretë madhor, atë të integrimit të Kosovës në institucionet euroatlantike.

Urime dhe e gëzofshim Autostradën e re.

* Fjalimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, me rastin e inaugurimit të 38 kilometrave të parë të Autostradës Vërmicë-Prishtinë-Merdarë

KOMENTE