Prishtinë, 14 nëntor 2011, NOA – Kuvendi i Kosovës miratoi në seancën e sotme dy projektligje, atë për tregtinë me jashtë dhe për marrëveshjet ndërkombëtare.
Nënkryetari i Komisionit për Punët e Jashtme, Hydajet Hyseni inkurajoi palët të bashkëpunojnë për miratimin e ndryshimeve të mëdha dhe të domosdoshme, që sipas tij duhet të shkojnë krah për krah me ndryshimet kushtetuese.
Kjo pasi sipas Hysenit, dispozitat e këtyre projektligjeve janë edhe dispozita kushtetuese, dhe nuk mund të përmirësohen pa konsensusin e të gjitha palëve.
Gjatë mbledhjes së sotme përveç draftit me 42 amendamente të reja për tregtinë me jashtë u miratuan edhe projektligji për sigurinë e përgjithshme të produkteve dhe ai për hekurudhat e Kosovës.
Kuvendi i Kosovës po shqyrton sakaq edhe raportin e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe barazinë gjinore, për të zhdukurit si dhe zbatimin e Ligjit për mbrojtjen nga dhuna në familje.
mit/NOA