English

Mario Monti ngarkohet për ngritjen e qeverisë. Pranon me rezerva detyrën

Romë, 13 nëntor 2011, NOA / Irma Toptani – Pas një dite të ngarkuar takimesh për emërimin e kryeministrit dhe krijimin e qeverisë teknike, që do të drejtojë Italinë pas dorëheqjes së kryeministrit Silvio Berluskoni, Presidenti i Republikës Giorgio Napolitano ia besoi pak minuta më parë detyrën për formimin e qeverisë së re, profesor Mario Montit, raporton agjencia NOA.al.

Por mandati i dhënë nga Presidenti është pranuar me rezervë nga senatori Monti, i cili menjëherë pas ngarkimit me këtë detyrë deklaroi se do të bëjë konsultime me urgjencë dhe skrupuj.

“Do ritakohem me Presidentin Napolitano pasi të heq dyshimet e mia”, tha kryeministri i ngarkuar, i cili pohoi se e kishte pranuar me rezerva detyrën.

Kjo ndodhi pikërisht pasi ish-komisioneri i BE-së, emri i vetëm i përfolur për drejtimin e qeverisë, u thirr në një takim në pallatin presidencial Quirinale, në orën 19.00 të së dielës.

Takimet e presidentit italian për konsultime me liderët politikë nisën që në orën 09.00 të së dielës, fillimisht me kreun të Senatit Renato Schifani e më pas me kreun e Dhomës së deputetëve Gianfranco Fini, për t’u përmbyllur në orët e vona të pasdites.

Ndërkohë, kryeministri i dorëhequr mbrëmë, Silvio Berluskoni ripërsëriti me krenari arritjet e tre viteve të qeverisë së tij nën drejtimin e tij, në kushtet e një krize financiare të paprecedentë në histori.

Këtë kavalieri e shkroi në një letër, të cilën ia dërgoi sot sekretarit Kombëtar të së Djathtës, Francesco Storace, ku i shkruante se “kemi ecur përpara me përgjegjësinë që morëm si mazhoranca e zgjedhur nga italianët të drejtonte qeverinë, por në fund në parlament funksionoi vesi më antik i politikës italiane, ai i kërcënimeve të vogla”, shkruan Berluskoni.

mit/NOA

Në foto: Mario Monti, i mandatuari për qeverinë e re teknike në Itali.

KOMENTE