Përmet, 13 Nëntor 2011 NOA – Rreth 100 anëtarë të Partisë Socialiste në Përmet, i bashkohen Lëvizjes Socialiste për Integrim, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.
Lajmi konfirmohet nga Lëvizja Socialiste për Integrimin në Qarkun e Gjirokastrës e cila tha sot se vijon ristrukturimin e degëve lokale në rrethet e Përmetit, Tepelenës dhe Gjirokastrës.
Kurse shtoi se gjatë fushatës për anëtarësimin e anëtarëve të rinj të LSI-së në këtë Qark, janë bashkuar edhe pjesëtarë të Partisë Socialiste.
“Gjatë një takimi të strukturave të Lëvizjes Socialiste për Integrim për rrethin e Përmetit, rreth 100 anëtarë të Partisë Socialiste kanë deklaruar largimin nga kjo forcë politike për t’iu bashkuar LSI-së, - i tha agjencisë NOA.al, Erjon Jaçe, kryetar i strukturave të PS-së në komunën Dishnicë.
Ai detajoi se 10 organizata socialiste janë shkrirë dhe rreth 100 anëtarët e tyre i janë bashkangjitur Lëvizjes Socialiste për Integrim.
“PS është një parti që me mënyrën si paraqitet aktualisht nuk mund të fitojë në vitin 2013”, ka pohuar Jaçe duke iu referuar takimit të zhvilluar në qytetin e Këlcyrës.
I pranishëm në këtë organizim deputeti i LSI-së, Vangjel Tavo është shprehur se kjo forcë politike vijon forcimin e strukturave organizative dhe politike me qëllim konsolidimin e fitores në zgjedhjet parlamentare të 2013.
“LSI-ja është një forcë politike e cila ka në qendër të veprimtarisë së saj integrimin e vendit tonë në Bashkimin Europian”, ka pohuar mes të tjerash deputeti Vangjel Tavo, në takimin me strukturat e LSI-së në rrethin e Përmetit
a.b/NOA