Dragash, 14 Nëntor 2011 NOA – Nëse shqiptarët e Kosovës duan të përfitojnë nga liberalizimi i regjimit të vizave ashtu sikurse përfitoi Shqipëria vitin e kaluar, duhet që të pranojnë zbatimin e marrëveshjes së ripranimit të shtetasve kosovarë që riatdhesohen nga qeveritë evropiane.
Për të sqaruar të gjitha pushtetet vendore në vend, Ministrja për Integrime Evropiane.Vlora Çitaku me bashkëpunëtorët e saj kanë nisur një fushatë vizitash dhe takimesh nëpër komunat e Republikës së Kosovës, raporton agjencia e lajmeve NOAKosova.al.
Këtë fundjavë, ministrja ishte në Komunën e Dragashit ku u prit nga Kryetari i Komunes, Salim Jenuzi dhe pjesëtarë të stafit vendor.
Ministrja u bëri të qartë drejtuesve vendorë se qëllimi i vizitës ishte që të merrte informacion lidhur me përmbushjen e obligimeve nga ana e Komunës për zbatimin e kritereve për Integrimet Evropiane dhe liberalizimin e vizave.
Çitaku u ndal sigurisht tek njëri prej kritereve e pikërisht ai kryesori, që është riatdhesimi i personave nga shtete evropiane.
Kryekomunari Jenuzi siguroi se kjo komunë e ka përmbushur tërësisht këtë kriter.
Madje ai kumtoi se vetëm brenda këtij viti që po mbyllet, janë kthyer plot 25 familje me 57 anëtarë.
Në këtë pikë ministrja per Integrime Evropiane,Vlora Çitaku e përgëzoi kryetarin e Komunes, Salim Jenuzi per punën e bere dhe njeherit, shprehu gatishmërinë per përkrahje ne realizimin e projekteve qe i përkasin fondit per Integrime Evropiane te cilin mund ta shfrytëzojnë edhe personat e riatdhesuar.
a.b/NOA