English

Stoltenberg: Shqipëria e vetmja në Evropë me rritje të fortë ekonomike

Oslo, 14 nëntor 2011, NOA – Kryeministri i Norvegjisë Jens Stoltenberg deklaroi sot se është tejet i impresionuar nga Shqipëria, duke e cilësuar vendin tonë si të vetmin vend në Evropë, që ka patur rritje të fortë ekonomike.

“Ne kemi parë një performancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria”, deklaroi sot në Oslo kryeministri norvegjez gjatë konferencës së përbashkët me kryeministrin shqiptar Sali Berisha, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Norvegji.

Kryeministri norvegjez Stoltenberg deklaroi ndërkaq se Norvegjia mbështet integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian, duke nënvizuar se kjo është e rëndësishme për Evropën, si edhe për Shqipërinë, citon njoftimin e zbardhur në faqen zyrtare të kryeministrisë, agjencia e lajmeve NOA.al.

Pas takimit me homologun Stoltenberg, zoti Berisha do të shprehej se bashkëpunimi bilateral me Norvegjinë është shumë i mirë.

Në këtë suazë kryeministri Berisha tha se kanë folur bashkë me homologun Stoltenberg për forcimin e bashkëpunimit në fushën e investimeve në energji.

mit/NOA

Më tej konferenca e plotë e dy kryeministrave Stoltenberg dhe Berisha.

Kryeministri Stoltenberg: Patëm një takim të shkëlqyer, ku zhvilluam diskutime për marrëdhëniet bilaterale midis Shqipërisë dhe Norvegjisë. Ne jemi dy vende që kemi marrëdhënie shumë të mira bilaterale. Ne shqyrtuam mundësinë e zgjerimit të bashkëpunimit, veçanërisht, në fushën e energjisë, në sektorin hidro-energjtik ku kompanitë norvegjeze dhe një kompani e quajtur Statkraft po marrin pjesë në zhvillimin e një projekti të madh të hidrocentraleve në Shqipëri, në Devoll. Gjithashtu, diskutuam potencialin e zhvillimit të bashkëpunimit në të gjitha format e energjisë, të energjisë se gjelbër, energjisë diellore, por, gjithashtu, edhe gazit, projektit Trans Adriatik Pipeline (TAP), i cili është në plan për të kaluar përmes Shqipërisë.

Gazetarja: Si i vlerësoni iniciativat e qeverisë shqiptare për të inkurajuar bizneset dhe investimet e huaja në vend?

Kryeministri Stoltenberg: Jemi shumë të impresionuar nga Shqipëria. Ne kemi parë një përformancë ekonomike jashtëzakonisht të mirë, të bazuar në rritjen ekonomike. Vështirë se ndonjë vend tjetër në Evropë ka patur rritje ekonomike më lartë dhe më të fortë se Shqipëria. Në shohim potencialin, shohim sa e rëndësishme po bëhet Shqipëria, fal rritjes së fuqishme ekonomike. Prandaj besojmë se ka një potencial shumë të madh për bashkëpunimin në fushën e biznesit, për investimet, për tregtinë dhe për zhvillimin e potencialit tregtar midis dy vendeve.

Gazetarja: E mbështesni Shqipërinë në procesin e integrimit dhe marrjen e statusit të vendit kandidat?

Kryeministri Stoltenberg: Ne e mbështesim idenë e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ne besojmë se është e rëndësishme për Evropën, është e rëndësishme për Shqipërinë. Ne e kemi mbështetur fuqimisht Shqipërinë kur dëshironte të bëhej anëtare e NATO-s. Norvegjia është anëtare e NATO-s, prandaj kishim mundësinë ta mbështesnim Shqipërinë kur donte të bëhej anëtare e NATO-s. Ne nuk jemi anëtar të Bashkimit Evropian dhe nuk mund vendosim. Janë vendet anëtare të Bashkimit Evropian, të cilët në dialog me Shqipërinë do të vendosin se sa shpejt do të lëviz integrimi në BE për Shqipërinë.

Gazetarja: Kryeministër Berisha, cili ishte fokusi i këtij takimi?

Kryeministri Berisha: Së pari, dua ta falënderoj Kryeministrin Stoltenberg për këtë mikpritje të madhe, për drekën shumë të shijshme, si dhe për bisedat shumë frutdhënëse që patëm së bashku. Kryeministrin Stoltenberg e kam takuar disa herë dhe tani patëm rastin të ulemi e të flasim për mundësitë reale të vendeve tona dhe për të forcuar bashkëpunimin. Pa dyshim çështja më madhore ishte energjia. Dy ndër kompanitë më të mëdha norvegjeze në fushën e energjisë, Statkraft dhe Statoil, janë të përfshira thellësisht në punën në Shqipëri. Edhe kompani të tjera po punojnë. Kryeministri më siguroi që do të mbështesë plotësisht investitorët dhe kompanitë norvegjeze që do të investojnë në Shqipëri në fushën e energjisë, si dhe të fuqizojmë bashkëpunimin në këtë fushë kaq nevralgjike, siç është energjia.

Folëm, gjithashtu, për investimet në turizëm. Unë e informova, gjithashtu, Kryeministrin për dëshirën time për t’u bërë të gjelbër në çështjet e energjisë, gjithashtu, edhe në pyllëzim. Norvegjia po ndihmon shumë vende në programet e pyllëzimit në kuadër të përballjes me pasojat e ndryshimeve klimaterike. Kemi shpresë se Kryeministri dhe qeveria e Norvegjisë do të ndihmojnë Shqipërinë në këtë përpjekje të madhe për pyllëzim të mirë, politikave të pyllëzimit nëpërmjet pemëve frutore.

E ftova Kryeministrin të vizitojë Shqipërinë dhe ai e pranoi ftesën. Do të jem shumë i kënaqur ta pres sa më shpejtë.

Kryeministri Stoltenberg: Faleminderit Shumë!

Kryeministri Berisha: Faleminderit!”

Në foto: Dy kryeministrat e Norvegjisë e Shqipërisë, Jens Stoltenberg dhe Sali Berisha.

KOMENTE