Tiranë, 14 nëntor 2011, NOA – Prokuroria e Tiranës kërkoi sot një riekspertim të video-përgjimit Meta-Prifti, duke e cilësuar të dështuar, analizën e tre ekspertëve shqiptarë. Organi i akuzës duke shprehur kundërshtinë me rezultatet e ekspertizës, që e nxorën video-përgjimin si jo origjinal, kërkuan një ekspertizë të re, por këtë herë nga ekspertë të huaj.
Ky vendim i prokurorisë erdhi pasi ajo nuk u bind nga konkluzionet e tre ekspertëve, të cilët duke iu përgjigjur sot, 27 pyetjeve të prokurorëve dhe 7 pyetjeve të avokatëve të Ilir Metës, thanë se video nuk është origjinale.
Ekspertët e video-përgjimit Meta-Prifti, që ekspertuan orën kamera, Laptop-in e Dritan Priftit, deklaruan se nuk mund të provohet, që përgjimi i bisedës Meta-Prifti, të jetë bërë me orën kamera.
Një nga ekspertët e video-përgjimit tha se në aparaturat që po ekspertohen mund të jenë bërë ndërhyrje profesionale, të cilat nuk kanë lënë gjurmë.
Trupi gjyqësor penal i Gjykatës së Lartë u tërhoq për të marrë një vendim lidhur me kërkesën e prokurorëve, të cilët i cilësuan përfundimet e tre ekspertëve shqiptarë si abuzive.
Ish-zëvendëskryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm, Ilir Meta në kohën kur u regjistrua video-përgjimi Meta-Prifti, në zyrën e Dritan Priftit, është nën akuzë për korrupsion me tenderat për koncesione.
mit/NOA