English

Wollfarth përshëndet kompromisin për reformat në parlament

Tiranë, 14 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Kompromisin e arritur sot mes mazhorancës dhe opozitës pas dy vitesh mosmarrëveshjesh politike e ka përshëndetur edhe Kreu i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, ambasadori Eugen Wollfarth.

Shefi i OSBE-së, deklaroi sot: “Përshëndes vendimin e Konferencës së Kryetarëve të Kuvendit për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe për të çuar përpara axhendën e ligjeve të tjera reformuese, të rëndësishme për të ardhmen e Shqipërisë”.

Ambasadori Wollfarth e cilësoi marrëveshjen e sotme ndërpartiake si një hap vendimtar, që tani sipas tij, lipset vetëm të miratohet formalisht dhe në mënyrë përfundimtare në seancën plenare, miratim të cilin zoti Wollfarth e shpreson që këtë të enjte.

Më herët ishte Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, që e cilësoi këtë fillimjavë të mesit të nëntorit, si një ditë të shënuar për Kuvendin e Shqipërisë.

“Sot, të gjitha palët kanë marrë përsipër përgjegjësinë që u takon”, deklaroi pas arritjes së kompromisit mes të gjitha palëve, kryeparlamentarja Topalli.

“Me miratimin unanim të Konferencës së Kryetarëve, sot është vendosur të nisë puna për zhbllokimin e asaj situate, që ka penguar për më shumë se dy vjet procesin e integrimit”, theksoi ajo.

Topalli shpreson se me konsensusin e sotëm do të mundet të harrojë debatet e dy viteve të fundit, duke përgëzuar partitë politike parlamentare për vendimet që morën në Konferencën e Kryetarëve.

“Unë shpresoj shumë që ligjet që kërkojnë 3/5-at do të shqyrtohen me seriozitet dhe do miratohen sipas Kalendarit të miratuar nga Konferenca. Shpresoj dhe uroj që mirëkuptimi i arritur sot në Konferencë për ngritjen e Komisionit parlamentar për Reformën zgjedhore do të vazhdojë të jetë në themel të punës së këtij komisioni. Jam e sigurtë, që ekspertët juristë të Kuvendit do të prodhojnë të gjitha draftet e nevojshme të Rregullores për ta çuar më tej konsolidimin e praktikave të demokracisë parlamentare”, argumentoi zonja e parë e Kuvendit, duke nënvizuar se aktet e sotme të Konferencës së Kryetarëve janë një sinjal shumë i fortë dhe shumë i mirëpritur nga faktori ndërkombëtar, që ka nxitur gjatë gjithë kohës dhe mbështetur këtë proces.

“Jam shumë e lumtur për kompromisin parlamentar të arritur”, tha zonja Topalli.

Përpara saj, kompromisin e arritur e përshëndeti edhe Kryetari i Grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Gramoz Ruçi.

mit/NOA

KOMENTE