Oslo, 14 Nëntor 2011 NOA/ Ariola Ymeraj – Kryeministri Sali Berisha tërhiqet publikisht nga plani për të ngritur centrale bërthamore në Shqipëri. Pohimin ai e ka bërë sot në Norvegji ku ndodhet në një axhendë takimesh zyrtare.
Berisha paralajmëroi se kishte ndryshuar mendje nga frika se mos në Shqipëri përsëritet ajo që ndodhi në Fukushima të Japonisë ndaj dhe shpalli se Tirana zyrtare nuk do të merret më aktualisht me planet për energjinë nukleare.
“Qëllimi i qeverisë është ta kthejë Shqipërinë në një prodhues dhe eksportues të madh të energjisë së gjelbër të rinovueshme në rajon. Po shpresoja edhe për energjinë nukleare, por pas asaj çfarë ndodhi në Fukushima, mendoj se duhet ta mbajmë në pritje atë ide dhe të vazhdojmë me energjinë e gjelbër, sa më shumë që të mundemi”, - deklaroi z.Berisha në fjalën që mbajti në Forumin Ekonomik Shqipëri – Norvegji.
Në fokus të forumit ishte forcimi i bashkëpunimit midis dy vendeve në fushën e energjisë dhe Teknologjisë së Informacionit e Komunikimit.
Kryeministri, i shoqëruar nga një delegacion me përfaqësues të bizneseve shqiptare që, kryesisht, operojnë në fushën e energjetikës dhe Teknologjisë së Informacionit, u takua me përfaqësues nga 50 kompani nga të dy vendet, si dhe kompani të mëdha norvegjeze që kanë investuar apo synojnë të investojnë në Shqipëri.
a.y/NOA