Tiranë, 14 nëntor 2011, NOA- I pranishëm në sesionin e 57-të të Asamblesë së Përgjithshme të Shoqatës së Traktatit të Atlantikut, Zv.Kryeministri njëherësh Ministri i Jashtëm Edmond Haxhinasto u shpreh se takimi në Tiranë nuk është vetëm një vlerësim për Shqipërinë, por një moment reflektimi për rrugën e suksesshme të transformimeve që ka përshkruar rajoni ynë në marrëdhënie me Aleancën.
“Plotësimi i partneriteteve të NATO-s është themelor për të përballuar sfidat që lidhen me sigurinë europiane dhe globale. Ky realitet i pasqyruar në Konceptin e Ri Strategjik të Aleancës, të miratuar në Samitin e Lisbonës. Koncepti i ri strategjik thekson se siguria Euro-Atlantike garantohet nëpërmjet një rrjeti më të gjerë marrëdhëniesh me partnerët dhe organizatat ndërkombëtare anembanë globit”, u shpreh Haxhinasto.
Sipas tij, ky proces kërkon reformimin e vazhdueshëm të vetë Aleancës Atlantike dhe synon jo thjesht shtimin e numrit të partnerëve por cilësinë e marrëdhënieve me to.
Haxhinasto theksoi se Shqipëria, përveç dërgimit vitin e kaluar të një kontigjenti shtesë prej 85 ushtarakësh, 44 prej të cilëve trupa të angazhuar drejtpërdrejtë në luftime, këtë vit e ka rritur më tej numrin e forcave atje dhe synon që edhe në të ardhmen ta bëj këtë gjë.
“Dua të vë në dukje gjithashtu se thirrja e bashkëpunimit dhe e përqafimit të atlanticizmit, mbizotëron në rajonin tonë. Një nga shembujt e qartë në këtë drejtim është Karta e Adriatikut, kryesinë e së cilës e mban sot Shqipëria. Kontributi i Shoqatës së Atlantikut në të gjitha vendet e rajonit, për të formëzuar këtë realitet të ri, ka qenë një element thelbësor për suksesin e këtij partneriteti specifik në rajon”, deklaroi Haxhinasto.
Më tej ai shtoi se pavarësisht nga progresi i dukshëm deri më sot, Ballkani ka akoma sfida për të tejkaluar.
a.y/NOA