Nga Romeo Gurakuqi
Më duhet të rikthehem sërish me këtë shkrim, për shkak të riaktivizimit të përpjekjes për të ngurtësuar apriori vlerësimin ndaj dy prej kolosëve të Shqipërisë …dhe letrave shqipe, At Gjergj Fishtës dhe Ernest Koliqit. Kësaj radhe goditja ndaj tyre është adresuar më së shumti në përkushtimin e tyre ndaj Shqipërisë në momentin kur vendi ynë u pushtua ushtarakisht nga Italia fashiste. Forma e ndërhyrjes kësaj radhë është dukshëm e përciptë, e pabazuar në ndonjë dokumentacion të qartë historik, mbledhur nga thënie sporadike, të shprehura rastësisht, pa kujdes dhe të paredaktuara. Gjithsesi, sa është shkruar në pasazhin e botuar në gazeta nga vepra e profesorit të nderuar Arben Puto, nuk na lejon të përfundojmë se ai bën pjesë në grupimin e kahershëm antifishtjan. Në vlerësimin tim është vetëm një shqyrtim i paplotë dhe pa të dhënat e nevojshme dokumentare për të arritur në përfundime kaq të papërshtatshme, mbledhur me ngut, që në të vërtetë njeriun e thjeshtë e turbullojnë, por studiuesin e nxisin me u thellue ma shumë në njohjen e së vërtetës. Unë në këto radhë bëj një përpjekje për të rikujtuar pjesën më të diskutueshme të veprimtarisë së njërit prej dy kolosëve tanë, Ernest Koliqit. Aktivitetin dhe qëndrimin e tij politik, sqarimin e pozicionimeve politike të tij në periudhat kyçe të historisë bashkëkohore shqiptare, përfshirë edhe pushtimin italian. Ernest Koliqi vinte nga një familje qytetare e Shkodrës më rrënjë të fuqishme shqiptarie, me një formim familjar katolik, por me një ngjyrim të lehtë liberal; me një koncept të qartë të patriotizmit tipik të luftërave për pavarësi. (Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, Kosovë, “Shejzat”, numer përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, fq 20). Koliqi ishte nipi i Cuk Simonit dhe stërnip i Filip Parrucës, pinjollë të familjeve më të vjetra tregtare të Shkodrës. Ai pati marrëdhënie të ngushta intelektuale me figurat e ndritura të asaj kohe si: Gjergj Fishta, Luigj Gurakuqi, Lazër Shantoja, Benardin Palaj, Karl Gurakuqi, Shuk Gurakuqi, Kolë Kamsi. Ky ishte rrethi i miqve të zgjedhur për aftësi të veçanta në fushat studimore, administrative dhe me botëkuptime të qarta përparimtare politike, i cili shërbeu për atë si një shkollë e mbarë, ku mori udhëzimet, jo vetëm për karrierën e tij letrare, por edhe për formimin e bindjeve politike, mbi rrugën e përparimit të Shqipërisë. Në periudhën e parë të veprimtarisë shoqërore, Ernest Koliqi tërhoqi menjëherë vëmendjen e Luigj Gurakuqit, personalitetit politik më të shquar që kishte Shkodra. Luigj Gurakuqi banonte në Rrugën e Gurakuqve, në mëhallën e quajtur Gjuhadol, në afërsi të shtëpisë së Shan Koliqit, atit të heroit tonë. Në këtë mënyrë, njohja, miqësia, botëkuptimi dhe idealet e njëjta ishin fare të natyrshme. Mjediset e Shkollës Fretnore në Gjuhadol të Shkodrës ishin pikëpjekja e intelektualëve të qytetit, “ku rriheshin çështje në lidhje me politikën e kohës kur Shqipnija ishte tue marrë nji kthesë në historin e vet.” (Karl Gurakuqi, Ernest Koliqi, revista “Shejzat” VII, 1963 5-6, 7-8 fq 163) Pas pushtimit të dytë të Kosovës nga serbët, në vitin 1918, në Gjuhadol, me ndërmjetësinë e Luigj Gurakuqit, Shan Koliqi i jep një shtëpi të tij për banim Bajram Currit, i cili gjeti asokohe strehim në Shkodër. Studiuesit e Koliqit mendojnë se duhet të ketë qenë Luigj Gurakuqi, i cili kishte njohuri të gjëra mbi çështjet shqiptare, ashtu edhe mbi fatin e Kosovës së robëruar dhe që njihej personalisht me Bajram Currin, Hasan Prishtinën dhe Isa Buletinin, mësuesi i parë që i ka dhanë Ernestit të ri informatat e para mbi Shqipninë Verilindore.(Rexhep Krasniqi, Ernest Koliqi dhe Zhvillimi letrar në Kosovë, “Shejzat”, numër përkujtimuer kushtue Ernest Koliqit, fq 37). Rritur në këtë mjedis qytetar, patriotik, përparimtar dhe mjaft të ngritur nga pikëpamja arsimore e kulturore, është e kuptueshme pse në bazamentet e formimit të tij, Koliqi përmbante konceptime dhe perspektiva aq atdhetare, liberale, të krishtera dhe perëndimore të jetës shtetërore, kombëtare dhe asaj private. Ato mëhalla shkodrane nuk ishin të ngjashme me vatrat e fjetura të botës së vobekët shqiptare të asaj kohe, siç mund të mendojnë ndonjë nga të dallueshmit paranojakë të kohës së sotme. Ato mëhalla ishin zemra nga ku lindi për Shqipërinë vetëdija europiane, për të cilën po luftojmë ende sot. Normalisht që është një vetëdije europiane e çiltër, natyrale dhe e konsoliduar jo rastësisht, por kohë që moti, e për rrjedhojë, e shikuar edhe me shumë cmirë. Janë mëhallat ku lindi në Shqipëri shkrimi shqip me germa latine, shkolla e parë shqipe, studimet shqiptare, muzika shqiptare, teatri shqiptar, gazetaria shqiptare etj., e në fund, aty u përkund djepi i parë i futbollit në Shqipëri. Koliqi, në të gjithë jetën dhe veprimtarinë e tij shumëplanëshe, u përpoq, siç thoshte vetë, “me mendje të ndritur, pa mburrje…për një zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar” (Letër e Ernest Koliqit drejtue Karl Gurakuqit, datë 3 dhjetor 1960, ruhet në dosjen nr 2. të letërkëmbimeve të prof. Karl Gurakuqit, “Letërkëmbim në Mërgim”, arkivi i autori). Koliqi i përket atij formimi dhe grupimi të elitës shqiptare që shpëtimin e kombit shqiptar e shihte në një kulturë moderne perëndimore, të ushqyer dhe brumosur prej virtyteve arbnore. Një mik i tij amerikan, në mesin e viteve ‘50, kur Koliqi ishte i ndaluar në Shqipëri dhe i sulmuar nga segmentet prokomuniste të mërgatës shqiptare, do t’i shprehej atij: “E dini pse shumica e Shqiptarvet ju lufton? Pse s’munden me ju kuptue, tue kenë ju, për sa marr vesht vetë, ma i oksidentalizuem ndër shqiptarë!”. Dhe Ernesti do t’ia komentojë Karl Gurakuqit këtë konstatim të amerikanit: “Kjo cilësi s’asht vetëm e imja; asht e të gjith shkodranvet. Ai amerikani më njihte vetëm mue, por po të kishte njoftun Dom Lazrin (Shantojën), P. Benardinin (Palajn), ty (Karl Gurakuqin) etj., do të kishte dhanë nji gjykim ma kolektiv. Duket se jemi ndrysh prej tjerëvet. (Letër e Ernest Koliqit, 9 korrik 1955, “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 1). Kur lexon këto dëshmi mendoj se është joserioze dhe e pavend që infeksionet e botëkuptimit komunist që drejtoi dje kryqëzatën ndaj pjesës properëndimore të kombit shqiptar, të rishfaqen serish në një formë kaq të pabazuar dhe joshkencore. E ata që nisen sot të shkruajnë mbi Koliqin nuk duhet të harrojnë se ai besonte që breznitë e ardhshme do t’ia njihnin, ndoshta ma tepër se bashkohësit, thelbin e koncepteve të tij. Për të mbrojtë tezën e zhvillimit të lumnueshëm të Shqipnisë e të vlerave fisnike, Koliqi fliste me gjuhën po të atij besimi të njerëzve të Rilindjes që ai i kishte njohur personalisht. Këndej rridhte dhe entuziazmi i asaj periudhe heroike dhe dëshira për ta pa qenien e vet dhe krejt jetën e çdo shqiptari, në funksion të çështjes nacionale. Për Koliqin, vetëmohimi për çështjen kombëtare dhe ndjenja e përgjegjësisë për të punuar e jetuar si Rilindas, ishin të natyrshme dhe të vetvetishme. Ky qëndrim jetësor la gjurmë të qarta edhe në krijimtarinë letrare të Koliqit, së pari si krijues dhe mandej edhe si gjurmues i letërsisë shqipe. Tema thelbësore mbetet deri në fund çështja e ekzistencës së kombit, “mbetja gjallë” ose “gjallnesa” (Martin Camaj, Nji humbje e randë, Shejzat, numer përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit fq. 7). Kësisoj konstatimi i Halim Begesë se “Prof. Ernest Koliqi kje nji nga shërbestarët e pakët të denjë të popullit shqiptar, sherbëstar i kombit, i flakët, i vazhdueshëm dhe i qendrueshëm i intelektualizmës shqiptare…”(Halim Begeja, Kultura dhe politika e Koliqit, numer përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, fq. 179), na duket plotësisht i saktë. Si vazhdues i punës së rilindasve të mëdhenj shqiptarë, Koliqi dallohet dhe zë vendin e parë si frymëzues i pazëvendësueshëm i mbjelljes së farës së kulturës. Radha e shërbesave të mëdha në këtë drejtim është e pafund. Në vitin 1923, kur ndihej nevoja e një organi për të paraqitur opinionet e forcave më përparimtare dhe më perëndimore në rrethanat e koklavituna të jetës së porsanisur të shtetit të ri shqiptar. Koliqi, së bashku me fretnit, me në krye At Anton Harapin, me Lazer Shantojen, por edhe me laikë si Nush Topalli, themeloi fletoren “Ora e Maleve”, jehona e së cilës u ndie anekënd atdheut, sidomos për kryeartikujt shkruar nga penda të shquara dhe për rubrikën satirike “Ora ndër Valle”. Suksesi i fletores qe i madh, ndikimi i shkrimeve të saj qe shumë i ndjeshëm në jetën politike dhe letrare shqiptare. Prandaj do të ishte e natyrshme që Koliqi, si kryeredaktor i një fletoreje opozitare dhe si mis i lëvizjes së të rinjve “Bashkimi”, të mos këqyrej me sy të mirë nga autoritetet post-otomane të Tiranës, të cilat tek ajo shoqatë shikonin një kërcënim për pozicion e klasës konservatore shqiptare. Fillimisht u duk sikur fitorja anoi nga parimet modernizuese, nga shkëputja e sistemevet të vjetruara, por kjo ëndërr qe e shkurtër, sepse në dhjetorin e vitit 1924, forcat konservatore, të mbështetura nga qarqe të caktuara të fqinjit të veriut, rimorën përsëri pushtetin. Rinia dhe forcat demokratike përparimtare, pasuesit e Avni Rustemit, Fan Nolit, Luigj Gurakuqit etj., e humbën çështjen, dështuan në programin e tyre, u shpërndanë, dhe pjesa më e madhe e tyre u largua nga vendi. Më 1929, Koliqi rikthehet në Shqipni më vëllimin e novelave “Hija e Maleve”. Në vitet 1930-33, Koliqi i kushtohet arsimit dhe e ushtron si mësues në Vlonë dhe Shkodër. Më 1937, ai kreu studimet universitare në Padovë me tezën “Epica popolare Albanese”, tezë doktorate që u vlerësua shumë nga albanologët Norbert Jokl, Maximilian Lambertz e nga një numër i madh studiuesish të famshëm të albanologjisë. Afrimi i Luftës së Dytë Botërore u shoqërua me lëvizje dhe përmbysje të shpejta të situatës gjeopolitike europiane. Shqipëria ishte një nga vendet e paracaktuara nga projektet e bllokut të shteteve fashiste për t’u përfshirë tërësisht në këtë lëvizje gjeopolitike. Forca e Shqipërisë ishte e atillë që e vetme nuk mund të garantonte dot as mbrojtjen, dhe as integritetin e vet. Përballja me këtë realitet të paracaktuar riaktivizoi në një shkallë të lartë opozitën tradicionale, si jashtë, ashtu edhe brenda Mbretërisë shqiptare. Ernest Koliqi, së bashku me Mustafa Krujën dhe Dom Lazer Shantojën, bënin pjesë në atë grupim të opozitës së vjetër, që u përpoqën ta shmangnin këtë fatalitet të paracaktuar në një formë të veçantë, duke iu drejtuar Italisë për një marrëveshje që do të përjashtonte pushtimin. (Giuseppe Valentini, Ernesto Spechio d’umano transito, “Shejzat”, numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, fq 21.) Faktet dhe rrjedhat e ngjarjeve treguan se besimi, përpjekja dhe marrëveshja e tyre ishte e kotë dhe zhgënjimi i tyre i pashmangshëm. Koliqi vetë, në mënyrë informale, në mes shokësh e miqsh, e ka pranuar këtë angazhim të pasuksesshëm me palën italiane. Me sa kuptojmë sot, bëhet fjalë për një lëvizje të pabazuar taktikisht, e vlerësuar jo drejtë politikisht, por e ndërmarrë në rrethanat e një dëshpërimi të thellë të grupimit politik oksidental, anti-konservator, për perspektiven demokratike dhe liberale të Shqipërisë së kapërthyeme nga ish- klasa otomaniste. Mbi të gjitha, nuk u vlerësua drejt partneri politik me të cilin u synua të bëhej marrëveshje dhe serioziteti i qëndrimit të tij, qeveria fashiste e Musolinit, që kishte synime krejtësisht të kundërta me idealistët e shqiptarizmës oksidentale. Por gjithsesi, kjo përzgjedhje nuk ua ndryshoi vendosmërinë e tyre në shërbim të Shqipërisë. Pala italiane e ndryshoi versionin e marrëveshjes së bërë, që parashikonte krijimin e një commonwealth-i, dhe zëvendësimin e mbretit Zog me një princ të Shtëpisë së Savojës, (Letër e Ernest Koliqit, dt. 18.07.1952, “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 1.) me formën e bashkimit të kurorave mbretërore nën të njëjtën perandori. Në këto rrethana të vështira dhe pa rrugëdalje tjetër, opozita mendoi të mbetej pjesë e lojës së shpëtimit dhe e amortizimit të përplasjes së fashizmit me popullin shqiptar. Ata gjykuan se ndërsa italianët do të kishin pushtetin, vetë do të përpiqeshin të manovronin, ose së paku, ta drejtonin nga interesat e Shqipërisë. Në këtë arsyetim tyre, siç duket, ata patën mbështetjen ose bashkëpunimin e At Gjergj Fishtës, të Terenc Toçit, të At Bernardin Palajt, të Xhevat Korçës, të Dhimitër Beratit, të Aleksandër Xhuvanit, të Xhafer Ypit etj., që pastaj kaluan në rezistencë të hapur (Giuseppe Valentini, Ernesto Spechio d’umano transito, Shejzat, numër përkujtimuer, kushtue prof. Ernest Koliqit, fq 22). Kështu Koliqi, një nga shkrimtarët dhe intelektualët më në zë të Shqipërisë, mori postin e ministrit të Arsimit, duke u përfshirë në një qeveri të përbërë nga njerëz pa vlera të veçanta (Bernd J. Fischer, Shqipëria gjatë Luftës, 1939-1945, fq. 67, Tiranë 2000). Në stadin aktual të kërkimeve dokumentare, unë nuk mund të përcaktoj arsyet e drejtpërdrejta që e kanë shtyrë Koliqin në marrjen e këtij vendimi, apo në detyrimin për marrjen e këtij vendimi. Ky moment përbën, sipas mendimit tim, një nga më delikatet dhe më të diskutueshmit të vendimmarrjes së tij. Sot, pas më shumë 60 viteve rrjedhash të historisë, të vlerësimeve, përçmimeve, ndalimeve dhe rehabilitimeve, mund të themi se përzgjedhja e Koliqit nga pikëpamja formale përbën një peshë të rëndë e të diskutueshme ndaj figurës së tij. Nga pikëpamja e veprimtarisë së tij konkrete, impaktit që vendimi dhe veprimtaria e tij pat në terrenin shqiptar dhe mbarëshqiptar, mendoj se ajo është një nga shembujt e paktë në historinë e arsimit, të kulturës dhe të shkencës shqiptare, kur dikasteri në fjalë, i udhëhequr nga një rilindas i ri, shkencëtar, shkrimtar dhe shpëtimtar i atdheut, arriti rezultate të atilla që asnjë nga ministrat e Arsimit shqiptar nuk i kishin arritur. Kjo, si për sa i përket intensitetit kohor të arritjeve, ashtu edhe për sa i përket vëllimit total të veprimtarisë cilësore. Ernest Koliqi ndoshta ka bërë një përzgjedhje politike që ka lënë pas gjurmë që ende vazhdojnë të diskutohen me të drejtë, me naivitet apo dashakeqësi, por Shqipërisë dhe shqiptarëve, ai edhe në këtë rast u ka bërë shërbime shembullore dhe të pangjashme, u ka hapë perspektiva që kanë lënë gjurmë dhe që përbëjnë precedentë themelorë në arsimin, shkencën dhe kulturën e këtij populli. Rasti i tij, sikurse edhe i disa figurave të tjera të mëdha të kombit shqiptar, që nuk mbetën mënjanë në ditët e vështira të Luftës së Dytë Botërore, përbën rastin e personaliteteve me autoritet të padiskutueshëm, që i dolën përpara furisë së pushtuesit të verbuar, duke e penguar të përplaset mbi popullin. Këto personalitete amortizuan përplasjen fatale të fashizmit mbi kombin. Mbi këto personalitete nuk rëndojnë urdhra vrasjesh, spiunimesh apo dhunimesh ndaj shqiptarëve. Vepra e tyre, edhe në këtë rast, është një shërbim shembullor dhe rilindas ndaj atdheut. E aq më pak, mund të mendohet se Urdhni i Fretënve të famshëm françeskanë, vatra e themelimit të vetëdijes kombëtare, të ketë pasë ndonjë mëdyshje në qendrimin besnik ndaj lirisë së Shqipërisë. Nga ana tjetër, me duhet të them se në vatrat tona familjare, gjyshërit tanë kanë adhuruar, lavdëruar dhe falënderuar përjetë Austrinë Habsburgase që krijoi Shqipërinë e lirë, por asnjëherë në Shkodër komuniteti katolik nuk ka pasur adhurim dhe respekt ndaj fashizmit italian, siç aludohet në librin e profesor Putos. Së fundi, vepra e tyre është krejt e dallueshme nga vepra e atyre që dhanë dhe ekzekutuan urdhra vrasjesh, si për dobi të fashizmit, ashtu edhe të komunistëve jugosllavë, gjatë dhe pas Luftës së Dytë Botërore. Do të doja që për ilustrim të jepja disa pasazhe nga vetë Koliqi. Ja si e shprehte ai pozicionin e tij si ministër në një letër tjetër drejtuar xhaxhait tim, prof. Karl Gurakuqit: “….Të shamet e belbacukëvet të gjuhës shqipe nëpër radjo të Tiranës e të Londrës (me më shi mue janë dakord) e shkrimet epileptike të mistrecave qi qohen në maje të gishtave edhe trashojnë zanin për m’u dukë politikanë serioza, nuk më bajnë mu as të xet as të ftohtë. Ndërgjegjen e kam të qetë. Kam krye gjithmonë detyrën si shqiptar i mirë në rrethanat ma të vështira, tue ia vu menden substancës së shqiptarizmit, jo dukjes. Ata që më njohin mirë e dijnë se akuzat qi më drejtohen janë krejt pa themel. Ti je nji prej atyne qi me je gjetë pranë si bashkëpunëtor në rasat ma kritike. Ti e din mirfilli se gjatë kohës seme këshilltarët italjanë nuk pijshin uj. Përgatitja me tekste, vendosun nji herë e mirë mbi terminologjin shkollore; themeluem Institutin e Studimeve Shqiptare, qi edhe komunistat tue i nderrue vetëm emnin e mbajtën, përmirësuem gjendjen e mësuesve e të profesoreve, çuem arsimtarë ndër klinika e sanatoriume. Kryefjala jon kje (në nji kohë në të cilën italjanët zotnojshin): Kultura shqiptare mbi të gjitha. Dërgova studjoza me mbledhë lajme historike në të gjitha teqet e bektashijvet, nisa studenta nder male me mbledhë pasurinë folklorike, futa nder xakona në Kosovë (para çlirimit) konviktorë vendas me libra shqip. Sa erdha si ministër mora rishtas në shërbim Lasgush Pogradecin e Gjergj Kokoshin të pushuem nga predecesori em, e u dhashë rrogat e mbrapambetuna. Lirova me garanci personale, mbas nji konflikti t’ashpër me gjeneral Guzzoni, para të cilit asokohe dridhej mbarë Shqipnija, Tajar Zavalanin, Vasil Andonin, Mihail Zallarin. Mora në sherbim Abaz Ermenjin sa këtheu nga Greqia (në mos ta mirrshem në shërbim do të shkonte qysh atëherë në Ventotene)” (Letër e Ernest Koliqit, dt. 16.3 1951, “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 1). Në kohën e Koliqit, Ministria e Arsimit përshkohej nga një frymë liberale që ishte krejt e kundërt me drejtimet politike të dhëna nga ato që Ernesti i quen “sunduesat e kohës”, “Giro, shkruan Koliqi, pat protestue rrebtësisht sa herë për veprën teme tepër nacjonaliste si arsim, por Jacomoni s’e lente me na qite pengime në Ministri; patem shti (në librin e Historisë së Letërsisë) në radhë të shkrimtarëvet Midëhat Frashërin, Fan Nolin, Faik Konicën, kundërshtarë të deklaruem t’atij regjimi, e plot të tjerë. Patem shtu edhe Migjenin, për të dhanë një shembull të letërsisë me kujdesë shoqnore.” (Letër e Ernest Koliqit, dt. 20.03 1960, “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 2) Ministria e Arsimit e drejtuar nga Koliqi, nga një institucion i tipit vetëm administrativ, u shndërrua në një institucion nxitës i tërë kulturës kombëtare, vatër edhe për nisma kulturore private, njëkohësisht duke funksionuar si asnjëherë më parë, edhe si organ largpamës administrativ (Giuseppe Valentini, Ernesto, Spechio d’umano transito, “Shejzat”, numër përkujtimuer kushtue prof. Ernest Koliqit, fq. 23). Ernest Koliqi qëndroi për dy vjet ministër i Arsimit, më pak se dy vite në kryesi të Institutit të Studimeve Shqiptare dhe më pak se gjysmë viti në presidencë të Dhomës së Deputetëve. Si ministër i Arsimit, Ernest Koliqi mori si bashkëpunëtorë të tij njerëzit dhe shkrimtarët ma në zë dhe, së bashku me ta, filloi hartimin dhe botimin e teksteve shkollore që ende sot janë shembuj të çmueshëm, në pikëpamje pedagogjiko-shkencore e kombëtare. Për të parën herë u botua historia e letërsisë shqiptare në dy vëllime: Shkrimtarët Shqiptarë, e redaktuar gjegjësisht nga Namik Resuli dhe Karl Gurakuqi, ky i fundit dora e djathtë e ministrit. Nën kujdesin e Koliqit, një komision i përbërë nga Aleksander Xhuvani, Karl Gurakuqi, Kolë Kamsi dhe Eqerem Çabej, grumbulloi dhe përpiloi lëndën e të parës antologji që u botua më 1943, me titullin “Bota Shqiptare”. Për procesin e përpilimit të teksteve, Ministria e Arsimit thirri nga Piana degli Albanesi profesorin arbëresh Gaetan Petrotën. Dikasteri i Arsimit i dha nji hov të madh studimit dhe mbledhjes së folklorit, ndërmarrje që është e mishëruar në vijimin e botimit të shumëvëllimëshit “Visaret e Kombit”. Në këtë varg bën pjesë fjalorthi i përpiluem nga Dom Nikollë Gazulli, që përmban 5000 fjalë të rralla nga Veriu i Shqipërisë, dhe që është i pari fjalor përshkrues e normativ i gjuhës shqipe. Më 1940, Koliqi organizoi në Tiranë një kongres të studimeve shqiptare, ku morën pjesë, përveç studiuesve shqiptarë, albanologët më të shquar botërorë, si Carlo Tagliavini, Antonio Baldacci, Francesco Ercole, Angelo Leotti, Gaetan Petrotta. Nga ky kongres lindi Instituti i Studimeve Shqiptare, me qendër në Tiranë, dhe pranë këtij u themelua edhe Biblioteka Albanologjike dhe Muzeu Etnologjik. Një moment madhështor krenarie, për të gjithë ne shqiptarët është përpjekja e paepur e Koliqit për të shpëtuar Norbert Joklin nga kthetrat hitleriane. Kjo përpjekje është tregues i shkallës së lartë të pavarësisë administrative dhe distancës së largët të Koliqit nga “sunduesat e kohës”. Një moment mjaft i veçantë, që në planin kombëtar merr një rëndësi të dorës së parë, në karrierën politike të Koliqit, është nisma dhe udhëheqja e drejtpërdrejtë e procesit të hapjes së shkollave shqipe në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, të çliruara nga okupatori sllav. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, në prill 1941, pas sulmeve të rrufeshme të gjermanëve, Jugosllavia e Karagjorgjëviqëve u shkatërrua, e kësisoj edhe Kosova e robëruar egërsisht deri atëherë u çlirua papritmas nga zgjedha sllave dhe u bashkua me Shqipërinë. Historia është e mbushur me koincidenca rrugësh të njëjta. Çlirimi i tokave të pushtuara shqiptare ishte rrjedhojë e logjikshme e aspiratave legjitime kombëtare. Fatkeqësisht, këto aspirata të kombit shqiptar rastisën në të njëjtin kah me strategjinë e Boshtit, që e kishte dezintegrimin e Jugosllavisë në projektet e veta ekspansioniste. Pa u caktuar ende formula me të cilën Kosova do duhej t’i kthehej Shqipërisë dhe pa ardhur ende udhëzimet nga Roma, nën përgjegjësinë personale, ministri i Arsimit, prof. Ernest Koliqi, nisi drejt “tokave të lirueme” 200 mësues me synimin e qartë të vendosjes së themeleve të arsimit shqiptar. “Asokohe, në Romë flitej me lanë për 10 vjet s’paku gjuhën sllave në shkolla e n’administratë” (Letër e Ernest Koliqit, dt.16.3 1951 “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 1). Ky fakt i madhnueshëm i aspektit kulturor i bashkëngjitun me faktin politik të krijimit të një Shqipërie në kufijtë e saj natyrorë, pavarësisht rrethanave në të cilat u krijuan, ka mbetur një precedent i rëndësishëm dhe i kujtueshëm vazhdimisht në historinë dhe gjeopolitikën ballkanike, që kontraston me veprimin e përkundërt të pushtetmbajtësve të Shqipërisë pas 29 nëntorit 1944, të cilët e lëshuan pa shumë ndrojtje Kosovën nën Jugosllavinë e Titos. Unë besoj se kjo frymë e përkundërt nuk ka pse ndikon ende sot në peshën e gjykimit të bazuar ndaj figurave të shquara të kombit tonë. Përveç kontributit të paçmueshëm për shkollat shqipe të Kosovës, Koliqit i detyrohet edhe dërgimi nëpër universitetet e Italisë i disa dhjetëra studentëve kosovarë për të zhvilluar stazhe dhe për t’u përgatitë dhe specializuar në degë të ndryshme të diturisë, që më vonë do të bëhen shtyllat e shëndosha për të themeluar kulturën kombëtare në viset e çliruara. Pjesën ma të madhe të jetës së tij Koliqi e kaloi në dhe të huaj, në një anë, gjithnjë në kontakt me botën shqiptare e sidomos arbëreshe, dhe në tjetrën, si profesor universiteti e shkrimtar në dialog të përhershëm me rrethe intelektuale të ndryshme të botës perëndimore. Mbas ardhjes në fuqi të diktaturës komuniste në Shqipëri, Koliqi është mobilizuar krejtësisht në luftën për çlirimin e Shqipërisë nga sundimi diktatorial dhe ka qenë truri i grupit “Blloku Independent”, që u aktivizua në veprime diversioni për rrëzimin e regjimit komunist. Këtë rikujtesë mbi Koliqin dëshiroj ta mbyll me një fragment të letrës që prof. Koliqi i dërgon më 3 dhjetor 1960, me rastin e festimeve të festes kombëtare shqiptare, mikut të tij, Karl Gurakuqi: “Karl i dashtun, të falem nderit për fjalët qi më drejton me rasën e 28 nandorit dhe për urimet qi më ban…Ti ma parë se unë, mandej unë pak ma vonë, jemi përpjekë me mende të ndritun e pa mburrje qesharake, si disa, për nji zhvillim shpirtnuer të popullit shqiptar. Në vend të nji shpërblimi të merituam, mbas djersës e mundit të derdhun, patme shpifje, të shame e përçmime. Në fund edhe mbetme pa atdhe, për të cilin lodhem trutë e pësuem ngashrim shpirtit. Ani: puna qi kryejmë e ka shpërblimin në vetvete dhe në kuptimin e disa dashamirëvet të pakët. S’pres kurrgja të mirë nga masa e shqiptarëvet të sotshëm, por shpresoj se trashëgimi letrar qi lam pas vehtes ka me u njoftë si tharm rilindjet breznive t’ardhshme” (Letër e Ernest Koliqit, dt. 03.12.1960, “Letërkëmbim në Mërgim”, dosja 2).
*Gazeta Panorama
Në foto: Historiani Arben Puto