Romë, 15 nëntor 2011, NOA/ Irma Toptani – Mario Monti, kryeministri i mandatuar për krijimin e qeverisë teknike në përfundim të ditës së parë të konsultimeve me liderët politikë në vend deklaroi se është gati të krijojë një qeveri të përbërë nga ekspertë e teknicienë, informon agjencia e lajmeve NOA.al.
Duke iu referuar riskut dhe sakrificave të parashikuara, që ai do t’u kërkojë italianëve, Monti është gati të emërojë në qeverinë e tij politikanë, por nuk do të pranonte kurrsesi të drejtonte një qeveri, e cila do të kushtëzohej në punën e saj nga një afat i shkurtër kohe.
Duke folur pas konsultimeve të së hënës, profesor Monti deklaroi se “Duhen sakrifica, jo lotë e gjak. Nuk është kusht i domosdoshëm pjesëmarrja e përfaqësuesve politikë në qeveri, por e domosdoshme është mbështetja e kësaj qeverie teknike”, theksoi kryeministri i mandatuar Monti.
Ai preçizoi sakaq se nuk pëlqen kushtet për kohëzgjatjen e qeverisë teknike, duke nënvizuar se parashikimi i kohëzgjatjes do të tkurrte besimin ndaj qeverisë.
Në këtë suazë, Monti tha se nuk do të pranonte një qeveri me kohë të parathënë, duke saktësuar se ai do ta drejtojë kabinetin teknik deri në fund të kësaj legjislature, pra në zgjedhjet e vitit 2013.
Sot, kryeministri i emëruar Mario Monti, ish-komisioneri i BE-së, do të bëjë xhiron e fundit të konsultimeve me liderët e PDL-së, PD-së, dhe partive sociale, përpara formimit të qeverisë së re, një qeveri koalicioni deri në vitin 2013, për të cilën profesori kërkon në mënyrë pragmatike mbështetjen e të gjitha partive.
Por, qysh tani është e ditur se Lega e Veriut e Umberto Bossit nuk do t’i japë votat për qeverinë e Montit, të cilën Bossi e ka cilësuar si një qeveri, që do t’u marrë italianëve gjithçka.
mit/NOA
Në Foto: Mario Monti, kryeministri italian i mandatuar.