English

Në 2012-ën Qeveri e zgjeruar në Maqedoni

Shkup, 15 nëntor 2011, NOA - Përhapja e krizës ekonomike dhe mundësia e problemeve dhe revoltave sociale do të mund të çojë drejt formimit të një Qeverie të zgjeruar në Maqedoni. Kjo bëhet e ditur nga burime diplomatike evropianeShkup për agjencinë e lajmeve INA.

Një diplomat europerëndimor i tha agjencisë së lajmeve INA se situatat dhe rrethanat e krijuara gjatë 2012-ës në planin ekonomik mund të rrisin tensionet politike dhe të krijohen kushtet e pashmangshme për një Qeveri uniteti të shpëtimit të vendit.

"Në këtë mozaik të zhvillimit të situatave të reja, BDI do të jetë faktori kryesor, që do të vendosë mbi të ardhmen e Qeverisë aktuale, për shkak se kjo parti në çdo kombinim luan rolin kyç për formimin e koalicioneve qeverisëse. Sigurisht se kjo parti do të veprojë në përputhje me interesat e saja, por edhe në vijën e faktorit ndërkombëtar, që është një nga garancitë për stabilitetin e këtij vendi”, theksoi për INA, diplomati europerëndimor.

Paralajmërimet për krizën, që mund të godasë Maqedoninë nga situata e krijuar nga vendet e eurozonës i ka bërë edhe guvernatori i Bankës Popullore të Maqedonisë (BPM), Dimitar Bogov, informon agjencia e lajmeve INA.

“Kriza në Evropë është serioze. Problemet e borxheve në vendet periferike mund të eskalojnë dhe janë në mundshme të gjitha skenaret. Ne po bëjmë të gjithë përgatitjet dhe analizat. Pritet të ketë goditje në sektorin real”, theksoi Bogov.

Sipas tij, ekonomia vendore do të ketë goditje të caktuara, megjithatë siç tha ai, sektori bankar është rezistues dhe do t’i përballojë të gjitha goditjet pa probleme të mëdha.

Partitë politike në planin e brendshëm po diskutojnë dhe parashikojnë modelin grek të një bashkëqeverisje më të gjerë.

Rilindja Demokratike Kombëtare (RDK) është subjekti i vetëm, që publikisht ka shpalosur idenë e modelit grek për të shpëtuar vendin në planin ekonomik dhe politik. Kreu i kësaj partie, Rufi Osmani parashikon një zhvillim të tillë duke i bërë thirrje partive për të mbështetur një propozim të tillë.

Debatet mbi një qeverisje të gjerë pritet të jenë në qendër të vëmendjes gjatë vitit të ardhshëm, kur opozita tashmë ka nisur fushatën e saj antiqeveritare.

INA/NOA

KOMENTE