Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA – Një ditë pas arritjes së kompromisit të shumëpritur mes opozitës dhe mazhorancës për disa nga reformat kyç, deputetët e mazhorancës dhe opozitës janë përfshirë në debate në Komisionin Parlamentar të Ligjeve, ku sot po diskutohet një nga ligjet e shumëkontestuar nga opozita, ai për Kodin Rrugor, për të cilin socialistët kërkojnë edhe mendimin e ekspertëve të Ministrisë së Transporteve.
Kompromisi i djeshëm parashikon së pari: ngritjen e një grupi pune që do të shqyrtojë axhendën e projektligjeve, që kërkojnë shumicë të cilësuar për t’u miratuar në Parlament, në grupe me kalendarë 3-javor, në përputhje me rregulloren e Kuvendit; së dyti: Konferenca e Kryetarëve miratoi kërkesën e firmosur nga dy kryetarët e Grupeve Parlamentare, z.Astrit Patozi dhe z.Gramoz Ruçi, për ngritjen e Komisionit të posaçëm parlamentar për Reformën Zgjedhore; dhe së treti Konferenca e Kryetarëve miratoi në unanimitet ngritjen e grupit të punës për rishikimin e Rregullores së Kuvendit, duke marrë si model Rregulloren e Parlamentit Evropian.
Duke iu referuar vendimeve të djeshme të Konferencës së Kryetarëve të grupeve Parlamentare, deputeti socialist Fatmir Xhafaj kërkoi nga deputetët e mazhorancës të respektojnë kompromisin dhe vendimet e arritura me konsensus pas dy vitesh mosmarrëveshje.
Ai kërkoi, që ligjet me 3/5 të miratohen përmes një procesi të shëndetshëm dhe jo formal.
Në këtë kuptim, deputeti Xhafaj propozoi që ligjet, që kërkojnë 84 vota në Kuvend, të kalojnë përmes një procedure të veçantë, duke preçizuar që për këto ligje të ketë relatorë nga dy partitë.
Por, Kreu i Komisionit të Ligjeve Ilir Rusmajli ka replikuar menjëherë duke thënë se kërkesa është e pamundur.
Kompromisi i arritur dje u përshëndet nga Kreu i grupit Kuvendor të PS-së Gramoz Ruçi, Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli dhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Eugen Wollfarth.
mit/NOA