Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA – Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e PS-së Edi Rama se kërkon të kontrollojë të gjitha emërimet në krye të institucioneve të pavarura.
Pas fjalës së Ramës në mbledhjen e grupit kuvendor socialist, ka reaguar zëdhënësja e PD-së, Albana Mustafaraj
“Z. Rama sot gajasi shqiptarët me hipokrizinë e tij të radhës që lëshoi në mbledhjen e Grupit Parlamentar të PS-së, sipas së cilës ai nuk dëshiron Avokatin e Popullit nga Partia Socialiste apo që të marrë urdhëra prej tij e partisë që ai përfaqëson. Z. Rama vetë harroi, por shqiptarët natyrisht që jo, se ai vetëm dy javë më parë propozoi për në bordin e Bankës së Shtetit, insititucionit më të depolitizuar të vendit, militanten e thekur të PS-së, anëtaren e kryesisë besnike të partisë së tij, zj. Ermelinda Meksi”, tha ajo
Sipas PD-së, Rama flet për institucione të pavarura, por të tilla ai konsideron vetëm ato që i vendos nën kontrollin e partisë.
“Duam të pyesim z. Rama, kur je serioz dhe i vërtetë, kur cicëron për pavarësi të institucioneve kushtetuese, apo kur në emër të kësaj pavarësie emëron në krye të tyre drejtuesit kryesore të Partisë Socialiste ? Partia Demokratike beson se qytetarët shqiptarë dinë të japin përgjigjen më të mirë dhe më të drejtë kësaj pyetjeje”, përfundoi zëdhënësja Mustafaraj.
a.q/NOA