Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA/Albana Qehajaj – Pak minuta pasi PD e PS gjetën konsensus në komisione për disa prej projekt/ligjeve që kërkojnë 84 vota, kryetari i PS-së, Edi Rama ka deklaruar se opozita është ë gatshme për një zgjidhje të situatës aktuale. Por, nëse për reformën zgjedhore apo atë parlamentare duket se ka dritë jeshile, për kryesocialistin, thembra e Akilit në marrëdhëniet me mazhorancën është drejtësia dhe përdorimi i saj nga kryeministri Berisha.
Rama iu referua vendimeve, sipas tij, të njëanshme të gjykatave për paditë që 9 deputetetë socialistë kanë depozituar gjatë këtyre muajve ndaj kryeministrit Berisha apo deputetëve të djathtë të përfshirë në korrupsion, sikundër shprehen ata.
“Por cilët janë gjyqtarët që japin vendime për llogari të Saliut, duke ndëshkuar me gjoba si të mafies deputetë të opozitës? Një gjë u them: E vërteta njësoj si e drejta, vonon por nuk harron. Bëni mirë të mos harroni që toga e zeza që vishni, nuk do t’ju mbrojë gjithë jetën, sepse drejtësia në Shqipëria do të vihet në një ditë jo shumë të largët. Ato gjoba mafioze gjykatësish, janë për të gjithë opozitën. Askush nuk e blen dot heshtjen tonë, jemi solidarë 100% me 9 deputetët që janë përzgjedhur nga shtëpia e Saliut për tu gjobitur nga gjykatësit”, deklaroi Rama.
Reformat në vend
Kryetari i PS-së gjatë mbledhjes së grupit kuvendor socialist nënvizoi edhe 3 pritoritete të tjera të kalendarit politik të opozites.
-Reforma zgjedhore të përfundojë deri ne fund të Marsit bazuar në propozimet e OSBE – ODIHR, pas një debati të hapur dhe konstruktiv.
- Reformë shtetndërtuese brenda pak muajsh bazuar në ligjet me 3/5, sipas kalendarit të miratuar dje nga konferenca e kryetarëve.
- Të ngrihet komisioni ad hoc për përzgjedhjen e kandidaturës për Avokat të Popullit.
Për këtë çështje Rama publikoi emrat e 5 deputetëve dhe anëtarëve të Asamblesë Kombëtare, të cilët bashkë me shoqërinë civile do të përzgjedhin mes kandidaturave, emrin e saktë brenda 30 ditëve
Ne nuk duam avokat të PS, por të popullit nën urdhërin e Kushtetutës dhe për këtë presim çdo qytetar që mendon se mund të marrë përsipër një detyrë kaq të madhe”, tha kryesocialisti.
Së fundmi, Rama ka kërkuar ndihmën e ndërkombëtarëve për të zhbllokuar punën në Këshillin e Qarkut në Fier e Gjirokastër.
“I bëj thirrje Ilirit dhe Saliut: ndalni banditët lokalë që me dru kërkojnë të përmbysin zgjedhjet legjitime. Kjo që po ndodh është kërcënim i hapur për opozitën dhe rrezik për konsensusin që duam të japim për të ardhmen”, u shpreh Rama.
a.q/NOA