Prishtinë, 15 nëntor 2011, NOA – Bashkëhartuesi i planit Ahtisaari, diplomati austriak Albert Rohan, bëri thirrje që të bisedohet për zbatimin e këtij plani, pasi ai ka zgjidhjen edhe për veriun e Kosovës.
Rohan, i cili bashkë me Martti Ahtisaarin hartoi propozimin gjithëpërfshirës për statusin e Kosovës, që shërbeu si bazë për shpalljen e Kosovës shtet të pavarur më 2008-ën, thotë se “Pakoja e Ahtisaarit, është zgjidhja edhe për veriun e Kosovës, dhe në vend të diskutimeve për një zgjidhje të re, do të duhej të bisedohej për zbatimin e saj”.
Duke folur në një intervistë të shkurtër për gazetën kosovare “Koha Ditore”, diplomati i mirënjohur austriak, Rohan, thotë se përgjegjësia për veriun e Kosovës është para së gjithash e institucioneve dhe e lidershipit politik të Kosovës, por edhe e Beogradit dhe e vetë serbëve në veri.
Sipas tij, Brukseli, përveç se duhet të ofrojë përkrahje më të madhe për stabilizimin e Kosovës, tashmë është në kohën e fundit që të tejkalojë edhe pengesën, që i krijojnë Kosovës pesë vendet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur pavarësinë.
mit/NOA