SHBA, 16 nëntor 2011 NOA/ R.Bulku - Tashmë fansat janë qetësuar të gjithë. Adele është tepër e kënaqur pas operacionit në fyt për hemorragji në kordat vokale, të cilit iu nënshtrua në klinikën e SHBA.
Në blogun e saj, këngëtarja 23-vjeçare ka falënderuar të gjithë fansat e saj “për të gjithë mendimet pozitive dhe urimet që kishte marrë”.
“Jam duke u rikuperuar mirë – shkroi ajo – jam në rrugën e shërimit dhe shumë e gëzuar”. Më pas shtoi: “Operacioni ka përfunduar me sukses, duhet vetëm të pushoj deri sa mjekët të më japin lejen për të vazhduar”.
Këngëtarja ka falënderuar të gjithë fansat për pikët që i kanë dhënë duke bërë të mundur që të fitonte çmimin si Best pop video për këngën “Rolling in the deep”, për MTV Video Music Awards, që u zhvillua javën e kaluar në Mbretërinë e Bashkuar.
r.b/NOA