Prishtinë, 16 nëntor 2011, NOA - Përfaqësuesit e komisionit për ndryshimet në Kushtetutë dhe të komisionit për amendimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Kosovë, thonë se për rreth 8 muaj kanë identifikuar një numër të konsiderueshëm të çështjeve, që do të ndryshojnë në këto dokumente.
Arsim Bajrami, kryetari i komisionit kushtetues, thotë se aktualisht komisioni është në fazën përfundimtare të ndryshimit të amendamenteve kushtetuese.
“Kemi edhe dy muaj punë, jemi në fazën e finalizimit të amendamenteve kushtetuese dhe të projektligjit për zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit. Kemi një seri konsultimesh me partitë parlamentare dhe jemi duke bërë përpjekje se si të sigurojmë një konsensus para se projekti të dërgohet në Parlament”, bëri me dije Bajrami për radion Evropa e Lirë.
“Siç dihet, ndryshimet e Kushtetutës kërkojnë mbështetjen e dy të tretave të numrit të deputeteve dhe dy të tretat e pakicave. Ideja e komisionit është që, në këtë fazë të kemi një konsensus sa më të gjerë, që ndryshimet kushtetuese të miratohen me një konsensus maksimal”, tha Bajrami.
Sipas tij, versioni i parë i amendimit të Kushtetutës dhe ligjit për zgjedhjen e presidentit është miratuar me konsensus të plotë nga anëtarët e komisionit, por disa çështje kyç ende kanë mbetur të hapura dhe me disa alternativa.
Çështjet që janë diskutuar më së shumti dhe janë propozuar të futen në Kushtetutën e amenduar janë ato se kush mund të jetë president, kush mund ta propozojë një kandidat për president, mandati i presidentit, zëvendësimi i presidentit, betimi, dorëheqja dhe shkarkimi i presidentit.
Arsim Bajrami deklaroi se komisioni, në bashkëpunim me përfaqësuesit e shoqërisë civile ka implementuar dhe ka organizuar konsultime të drejtpërdrejta me qytetarët në tërë Kosovën, për të dëgjuar vërejtjet, komentet dhe sugjerimet e tyre.
Kuvendi i Kosovës, me 7 prill miratoi një rezolutë, në bazë të së cilës u themelua komisioni për amendimit të Kushtetutës.
Mandati ligjor i komisionit për ndryshimet e Kushtetutës e detyron atë, që brenda nëntë muajve të ndryshojë nenet e caktuara të Kushtetutës, për të mundësuar që, presidenti i Kosovës të zgjidhet me votë të drejtpërdrejtë.
“Gjithsesi ne do të përfundojmë punën brenda afatit, simbolikisht edhe para afatit për të treguar funksionalitetin e punës. Në komision ka një unitet të plotë, edhe pse përbëhet nga përfaqësues të partive politike, kemi ndërtuar një konsensus”, deklaroi Bajrami.
Kurse për ndryshimin e legjislacionit për zgjedhjet, përkatësisht Ligjin për zgjedhjet e përgjithshme të Kosovës, është përgjegjës komisioni për amendimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme.
Haki Demolli, kryetari i këtij komisioni, thotë se është duke u punuar vazhdimisht në drejtim të reformave zgjedhore.
Sipas tij deri më tash janë aprovuar rekomandimet lidhur me listën e votuesve, votimin me kusht, votimet jashtë Kosovës, si dhe për vëzhguesit e procesit zgjedhor.
“Mund të themi se jemi në mesin e diskutimit të problemeve të identifikuara. Gjatë kësaj jave, kemi caktuar një takim të radhës së grupit punues zgjedhor”, tregon Demolli.
“Ne mendojmë që diskutimet t’i përfundojmë gjatë muajit dhjetor, kurse gjatë muajit janar e deri në mars do të jetë faza e draftimit të rekomandimeve të aprovuara në formë të dispozitave ligjore nga ana e grupit të draftit”, tha ai.
Ndryshe nga komisioni për amendimin e Kushtetutës, ky komision, për ndryshimin e Ligjit zgjedhor ka në dispozicion 12 muaj.
Drejtuesit e këtij komisioni kanë thënë se faza e fundit tremujore e punës së komisionit do të shërbejë për harmonizimin e ndryshimeve me ato, që do t’i bëjë komisioni për amendimin e Kushtetutës.
Përfaqësues të shoqërisë civile kanë shprehur pakënaqësitë e tyre me procesin e reformave zgjedhore dhe atyre kushtetuese në Kosovë.
Krenar Gashi, analist politik, konsideron se i gjithë procesi rreth ndryshimeve kushtetuese ka nisur në mënyrë jo të duhur.
“Gjithë puna e amendimit të Kushtetutës disi ka nisur në mënyrë të mbrapsht, meqë komisioni nuk është mandatuar për të amenduar apo ndryshuar nenin 84 të Kushtetutës, i cili flet për kompetencat dhe fuqitë e Presidentit të Republikës”.
“Në fakt, ky komision vetëm ka amenduar mënyrën se si zgjidhet presidenti, duke e hequr votimin në Kuvend dhe duke e zëvendësuar atë më një votim të drejtpërdrejt nga qytetari. Ky ka qenë problemi më i madh”, tha Gashi.
Ndërkaq, sa i takon çështjes se ndryshimit të Ligjit për zgjedhjet, Krenar Gashi thotë se partitë politike asnjëherë nuk kanë qenë në gjendje të marrin vendime të prera rreth ndryshimeve.
Kjo, sipas tij, e ka bërë të pamundur rolin e shoqërisë civile si mbrojtës të ndryshimeve të mirëfillta.
Qëllimi kryesor i këtyre reformave kushtetuese është që Presidenti në të ardhmen të zgjidhet drejtpërdrejt nga populli, kurse për zgjedhjet parlamentare - nga një zonë, të ketë më shumë zona.
REL/NOA