Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA- Një 31 vjeçar nga Cërriku është ekstraduar pasditen e sotme nga Interpol Tirana, nga qyteti i Milanos në Itali, pasi ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar.
Siç raporton agjencia Noa.al i ekstraduari quhet Florian Nasufi dhe se ky i fundit ishte dënuar në vitin 2002 nga Gjykata e Elbasanit me 14 vjet burg, për kryerjen e veprës penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit në rrethana rënduese dhe marrëdhënie seksuale me dhunë me të mitur”.
Ndërkaq burime nga policia sqarojnë se nga hetimet e kryera dhe shqyrtimi gjyqësor ka rezultuar dhe është provuar se ky shtetas në bashkëpunim me të tjerë, në shtator 1999, ka tentuar të përdhunojë dhe të shfrytëzojë për prostitucion një shtetase të mitur.
Ekstradimi i tij drejt aeroportit të Rinasit u bë i mundur në sajë të bashkëpunimit të
Interpol-Tirana me Interpol-Romën.
a.y/NOA