Fier, 16 nëntor 2011, NOA - Opozita bllokoi sot paradite mbledhjen e Këshilli të Qarkut të Fierit, për konstituimin dhe zgjedhjen e kryetarit të qarkut. Sipas tyre, është e paligjshme zhvillimi i mbledhjes pasi është shkelur vendimi i gjykatës për pezullimin e saj.Por, pas disa orësh debatesh dhe përplasjesh dhe pas largimit të simpatizantëve të PS-së, është zgjedhur vetëm me votat e përfaqësuesve të djathtë, kreu i ri i Këshillit Artur Shehu. Të pranishëm gjatë votimit të tij ishin vetëm këshilltarët e Aleancës për Qytetarin, ndërsa ata të Aleancës për të Ardhmen e quajtën mbledhjen të jashtëligjshme. Prefekti i Fierit, Bujar Hasa tha se, militantë të PS dhe deputetë të kësaj force politike kanë hyrë forcërisht në sallën e mbledhjes, për ta bllokuar atë.
"Iu bëj thirrje deputetëve të PS-së të heqim dorë nga uzurpimi. Vendimi i gjykatës i datë 12 nëntor pezullonte vetëm njoftimin dhe s'kishte në brendësinë e vetë anullimin e mbledhjes dhe heqjen e të drejtës së këshilltarëve të mblidhen për organet e tyre drejtuese", deklaroi prefekti. Por, kreu i Këshillit të Qarkut, Vangjel Ndreka akuzoi prefektin. “Prefekti i Fierit po shkel ligjin, nuk respekton vendimin e gjykatës. Ai po kërkon të ndërtojë struktura paralele”, tha Ndreka. Situata e tensionuar në Pallatin e Kulturës në Fier ka bërë që aty të mbërrijnë forca policie.
Një ditë më parë, kreu i PS-së Edi Rama akuzoi kryeministrin Berisha dhe kreun e LSI-së, Ilir Meta se, nëpërmjet bandave, siç tha ai, kërkojnë të vjedhin votën në Fier e Gjirokastër.
a.q/NOA