English

Guvernatori, mazhoranca miraton dekretin e Topit

Tiranë, 16 nëntor 2011, NOA Update – Ashtu siç edhe pritej mazhoranca ka miratuar vetëm me votat e veta në Komisionin e Ekonomisë, dekretin e Presidentit të Republikës, për emërimin për një mandat të dytë në postin e Guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, të Ardian Fullanit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.

Deputetët e kanë kundërshtuar kandidaturën e kryeministrit për Guvernatorin e BSH-së, por votat e tyre kundër nuk kanë mundur të hedhin poshtë dekretin e Presidentit, që pritet të kalojë për miratim në Kuvend brenda pak ditësh.

Dekreti i Presidentit për emërimin e Fullanit, është i pari, që miratohet nga mazhoranca pas konfliktit të hapur, që prej kohësh ka përfshirë marrëdhënien mes Kreut të Shtetit dhe forcës politike, që qeveris vendin.

Kandidatura e Fullanit në krye të Bankës së Shqipërisë ishte kundërshtuar më herët nga Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i cili e cilësoi atë jo të gabuar, por më të gabuarën.

Sipas Ramës, mundësia e një mandati të dytë për zotin Fullani, është pamundësi për të riparuar dëmet e konsiderueshme të mandatit të tij të parë.

Tashmë pritet, që dekreti i Presidentit të miratohet në Kuvend, dhe për këtë nevojiten një shumicë prej 71 votash në Kuvend.

mit/NOA

KOMENTE