Prishtinë, 15 nëntor 2011, NOA- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti sot në takim një delegacion të deputetëve të Unionit Inter-Parlamentar të Britanisë së Madhe.
Në fjalën e saj ajo falenderoj deputetët britanikë për ndihmën që Britania e Madhe i ka dhënë dhe vazhdon t’i japë Kosovës dhe vlerësoi se marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve duhet të forcohen në fushën politike, ekonomike dhe në fusha të tjera.
Sipas saj synimi parësor i Kosovës është shtimi i njohjeve dhe anëtarësimi i saj në BE, NATO, OKB dhe në të gjitha organizatat rajonale e ndërkombëtare.
Ndër të tjera Jahjaga shtoi se anëtarësimi i Kosovës në Partneritetin për Paqe dhe në veçanti marrëdhënia kontraktuale me BE-në do të ndihmonte përshpejtimin dhe thellimin e reformave në vend.
Presidentja tha se mospajtimet në rajonin e Ballkanin duhet të zgjidhen përmes dialogut dhe respektimit të ndërsjellë të integritetit territorial dhe sovranitetit të secilit vend.
Ajo tha se Ahtisari Plus për veriun nuk është opsion sepse do të rrënonte të arriturat në Kosovë dhe nuk do të garantonte integrimin por do të çonte drejt ndarjes.
Jahjaga theksoi se dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është rruga e vetme për të normalizuar marrëdhëniet dhe vlerësoi se të dyja vendet duhet ta ndihmojnë dhe jot a kundërshtojnë njëra-tjetrën në rrugën e integrimeve europiane.
Ndërkaq anëtarët e delegacionit vlerësuan marrëdhëniet e Britanisë së Madhe me Kosovën dhe theksuan nevojën e bashkëpunimit më të ngushtë ndërmjet Parlamenteve të të dyja vendeve.
a.y/NOA