English

Kasaphanë në kafene, shqiptari ther me thikë 4 klientë

Selanik, 15 Nëntor 2011 NOA – Një kasaphanë ka ndodhur sotnjë kafene të zonës Rizohori Pelas në Greqi, ku emigranti shqiptar ka therur me thikë katër persona brenda lokalit, pas një sherri që pati me pronarin.

Korrespondenti i agjencisë NOA raporton se ngjarja ka për protagonist një 27 vjeçar shqiptar, prej vitesh emigrant në Greqi. Si pasojë e sulmit me thikë ka mbetur i vdekur një prej klientëve, grek, kurse tre personat e tjerë që mbetën të plagosur, gjenden nën kujdes spitalor.

Nga hetimet e kryera rezulton se i riu shqiptar gjatë natës duke gdhirë dita e sotme ishte përplasur me 47-vjeçarin, pronar i kafenesë.

Pas konfliktit emigranti është larguar për në shtëpi. Por pak më vonë, në orën 01.00 të ditës së sotme, 27-vjeçari është kthyer sërish në kafene, këtë radhë me një thikë në dorë.

Dëshmitarët treguan se i riu ishte kaq i irrituar saqë godiste me thikë cilindo përpiqej ta ndalte në sulmin për të kapur pronarin e kafenesë.

“Si rezultat i përdorimit të thikës, ka mbetur i vdekur Hristos N., një grek 45 vjeçar, si dhe janë plagosur dy grekë të tjerë, përkatësisht 44 vjeç dhe 31 vjeç si dhe një i ri shqiptar, 30 vjeçar”, tha zyrtarisht policia duke iu referuar ngjarjes që ndodhi në rajonin e Edesas në Selanik.

Policia e sinjalizuar për atë çka po ndodhte, ka mbërritur në vendngjarje duke kryer arrestimin pa rezistencë të të dyshuarit.

n.s/NOA

KOMENTE