English

Kryeministri italian Mario Monti prezanton sot qeverinë teknike

Romë, 16 nëntor 2011, NOA – Pas dy ditësh të gjata konsultimesh me liderët politikë, sot në mesditë pritet të zyrtarizohet qeveria e re e Italisë e drejtuar nga kryeministri i mandatuar Mario Monti, informon agjencia NOA.al.

Ish-komisioneri i BE-së i mandatuar mbrëmjen e të dielës, nga Presidenti italian Giorgio Napolitano për të zgjedhur qeverinë teknike, do të ngjitet sot në orën 11.00 në pallatin Quirinale për të prezantuar listën e emrave që do të përbëjnë kabinetin e tij, ndërkohë që pasdite është lajmëruar betimi i qeverisë së re.

Në orët e vona të së martës, pas tri orë diskutimesh kokëkokë me sekretarin e PDL-së Angelino Alfano, mediat italiane bëjnë me dije se Gianni Letta, i kërkuar nga ish-kryeministri Berluskoni nuk do të jetë pjesë e ekzekutivit të ri, po kështu edhe emri i Giuliano Amato-s duket se ka të njëjtin fat.

“Për fat të keq, kundër Letta-s kishte një votë kundër, andaj ai nuk do të jetë, e bashkë me të do të mungojë edhe Giuliano Amato”, deklaroi këtë mëngjes zëvendëspresidenti i Dhomës së Deputetëve Maurizio Lupi.

Mediat italiane nxjerrin në pah një emër tjetër, i listuar për të qenë në krye të ministrisë së Drejtësisë, që është Paola Severino.

Kryeministri i mandatuar Mario Monti gjatë një konference për shtyp, të martën mbrëma, deklaroi qetësisht se lista e ministrave është gati, edhe pse ndër emrat e kabinetit mungojnë dy ekspertë të politikës si Gianni Letta dhe Giuliano Amato.

Kryeministri italian shprehu bindjen e tij se kabineti i ri do të punojë për qëndrueshmërinë e institucioneve.

Monti bëri me dije se edhe partitë sociale duke përfshirë këtu edhe sindikatat, kanë ofruar kontributin e tyre konkret për të ndihmuar që sakrificat e mundshme të bëhen në funksion të një rezultati pozitiv për vendin.

“Ju siguroj se në orët e ardhshme do të mundem të konkludoj kuadrin e plotë të kabinetit dhe ta paraqes para Kreut të Shtetit”, nënvizoi mbrëmë kryeministri i mandatuar italian, Mario Monti.

mit/NOA

KOMENTE