Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA – Një grup prej 11 klandestinësh afganë është ndaluar në doganën e Tiranës pasi kishin hyrë në territorin shqiptar me një maune turke.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave bënë të ditur se ndalimi i tyre është bërë mbrëmjen e së hënës në orën 23.10 nga personeli doganor me shërbim në Degën e Doganës Tiranës. 11 afganët ndodheshin në një maune që ishte e parkuar në parkingun e kësaj dogane.
Pas kontrollit të maunes me targa 35ZP202/35HA3409 që drejtohej nga shtetasi turk Gokhan Çoban, u zbulua prania e 11 klandestineve me shtetësi afgane. Maunia ishte nisur nga Turqi, kishte kaluar transit në Greqi, me destinacion Tiranën.
Teknika e përdorur për futjen e klandestineve afgane në maune, siç rezultoi nga kontrolli fizik i mjetit, ishte këputja e kavos së sigurisë dhe pas futjes së klandestineve ishte dhe ribashkimi i saj.
Pas marrjes së të dhënave, klandestinët iu dorëzuan autoriteteve policore ndërsa për drejtuesin e mjetit, qytetarin turk Gokhan Çoban, u mor masa e ndalimit.
a.k/NOA