Tiranë, 16 nëntor 2011, NOA – Shumë shpejt në Shqipëri do të ketë një shifër të saktë të fëmijëve shqiptarë të lindur e që jetojnë jashtë vendit. Një gjë e tillë lind si detyrim për qeverinë pas nënshkrimit të një memorandumi të posaçëm mirëkuptimi mes Minitrisë së Punëve të Jashtme dhe Qendrës “Shërbimi Ligjor Falas” (TLAS).
Memorandumi u nënshkrua nga Zëvendësministri i Punëve të Jashtme Selim Belortaja dhe Drejtoresha Ekzekutive e TLAS, Rajmonda Bozo, në prani të Kryeministrit dhe Ministrit të Punëve të Jashtme, Edmond Haxhinasto dhe Zv.Ministres së Punëve të Brendshme, Iva Zajmi.
Memorandumi parashikon që MPJ nëpërmjet konsullatave të saj jashtë vendit bën të mundur marrjen e dokumentacionit përkatës pranë institucioneve të huaja dhe, në rast se konstaton se shtetasi nuk ka mundësi praktike të vijojë regjistrimin e fëmijës së tij, TLAS ofron shërbimet e tij për fillimin e procedurës së regjistrimit pranë zyrave të gjendjes civile në Shqipëri. Shërbimet e ofruara nga TLAS do të jenë pa shpërblim.
Ky memorandum është një mundësi e shtuar për shtetasit tanë jashtë shtetit, për të realizuar në kohë dhe me cilësi të gjitha procedurat e nevojshme për regjistrimin e fëmijëve të tyre, duke i mbështetur dhe përkrahur për të mos shkëputur lidhjet me vendin.
Ministria e Punëve të Jashtme shpreh angazhimin e saj për nënshkrimin e memorandumeve të ngjashme me organizatat jofitimprurëse, të cilat me anë të shërbimeve të tyre dhe në respektim të legjislacionit në fuqi, mund të asistojnë dhe ofrojnë shërbimet e tyre, në ndihmë të shtetasve shqiptarë me banim jashtë vendit.
“Në të ardhmen, do të vazhdojmë të afrohemi pranë komuniteteve shqiptare, ku ka përqëndrim më të madh, e kam fjalën për hapjen e konsullatave të reja. Veçanërisht në Greqi jemi duke shqyrtuar në mënyrë konkrete mundësinë e hapjes së një Konsullate në Kretë, por dhe në vende të tjera, ku ka përqëndrim të madh shqiptarësh”, tha ministri Haxhinasto.
a.q/NOA