Nju Jork, 16 nëntor 2011, NOA – Epiqendra botërore e të indinjuarve, Wall Street, është evakuuar. Afro dy muaj nga pushtimi i sheshit nga të indinjuarit e krizës financiare, policia e Nju Jorkut dha urdhër për largimin e tyre nga Parku Zuccoti, ku zu fill lëvizja.
Uniformat e rendit publik përdorën gaz lotsjellës për të shpërndarë të fundmit të indinjuar, që po i rezistonin urdhrit, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Zaptuesit e “Wall Street” braktisën Parkun Zucotti, në zemër të zonës financiare të Nju Jorkut, në orët e vona të natës së të martës.
Të indinjuarit ishin vendosur aty që në 17 shtator dhe nesër do të mbusheshin plot dy muaj nga nisja e protestës.
Aksioni i policisë së Nju Jorkut nisi në orën 1 pas mesnatës, kur qindra policë të pajisur me mjete mbrojtëse mbërritën për të shpërbërë kampin e ngritur aty.
Fillimisht policia e Nju Jorkut urdhëroi okupuesit e parkut të largoheshin dhe të hiqnin bizneset e tyre nga aty, përpara se të çlironin tërë kampin.
“Çdo gjë duhet të hiqet menjëherë. Nëse ju refuzoni të lëvizni çadrat, do të arrestoheni. Pasi t’i keni hequr njëherë e mirë çadrat, ju mund të riktheheni”, ishte urdhri, që u dhanë policët të indinjuarve, duke arsyetuar më pas se ky aksion bëhej, ngaqë autoritetet kishin përcaktuar se pushtimi i vazhdueshëm i parkut përbën rrezik për shëndetin dhe rënien e zjarrit.
Një orë më vonë sipas mediave amerikane, protestuesit kishin braktisur paqësisht parkun Zuccoti dhe u shpërndanë nëpër vendbanimet e tyre me kamionë, ndërsa punonjësit e Bashkisë të veshur me xhaketat e gjelbra mblodhën të gjitha mbeturinat dhe sendet e braktisura nga të indinjuarit në mjediset e parkut të madh në zemër të Nju Jorkut.
mit/NOA