Tiranë, 15 nëntor 2011, NOA- Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi inspektoi sot punimet e Unazës së Madhe në Tiranë.
Në fjalën e mbajtur me këtë rast Olldashi tha se ecuria e punimeve të kryera është e kënaqshme dhe deklaroi se ky segment i rëndësishëm për kryeqytetit do të jetë i hapur për trafikun në pranverën e vitit 2012, pra në një kohë më të shpejtë se afatet kontraktuale.
“Projekti parashikohet të mbaroj në fund të vitit 2012, por me ritmet që kemi, jam i bindur që në fundin e pranverës së vitit tjetër, projektet do të jenë të hapura dhe të kalueshme për trafikun transit nga Tirana në drejtim të Elbasanit, si dhe segmenti prej 3.1 km i Unazës së Madhe të Tiranës”, u shpreh Olldashi.
Ai tha se punimet kanë ecur me ritme të shpejta dhe falënderoi punonjësit dhe kompanitë që po merren me to si dhe Drejtorinë e Përgjithshme të Rrugëve për ndjekjen e mirë që i ka bërë projektit.
Ministri Olldashi shtoi më tej se, “Me vënien në funksionim të këtyre dy kontratave, pra të lotit të Unazës së Madhe dhe të lotit të parë të autostradës Tiranë- Elbasan, do ti japim një lehtësim shumë të madh tranzitit të mallrave dhe të njerëzve, një lehtësim që do të përshpejtohet edhe më tej me vazhdimin e loteve të tjera të autostrades Tiranë –Elbasan”.
Ai tha gjithashtu se ecuria e tunelit të Krrabës është shumë e mirë.
Ministri i Punëve Publike dhe Transportit Sokol Olldashi i cili inspektoi punimet e Unazës së Madhe në Tiranë i tha këto fjalë në pikën ku takohet njëri lot i Unazës së Madhe të Tiranës dhe ku fillon autostrada Tiranë- Elbasan.
a.y/NOA