Nga Mustafa Nano
Në intervistën e tij për të përditshmen “Mapo”, teksa pyetej në fund mbi një koalicion të mundshëm PS-LSI, Fatmir Xhafaj, sekretar ligjor i partisë (do të ishte mirë të gjenin një emërtim tjetër për këtë post partiak; ‘sekretar ligjor’ duket si një gjetje e bërë në ngut e sipër), nuk linte asgjë për t’u nënkuptuar apo interpretuar.
Ishte i qartë si kurrë më parë e si asnjë tjetër mes të vetëve. Po e citoj në mënyrë të plotë: “Kjo logjikë [e koalicionit me LSI-në] më duket e drejtë kur nuk flitet për krushqi personale, për pazare emrash, personash, por për raporte organizatash e grupesh politike që kanë pas tyre njerëz dhe votues që kërkojnë një qeverisje ndryshe. Ca më shumë kur bëhet fjalë për simpatizantë e votues që i përkasin të njëjtit krahu politik. Në politikë dhe për më tepër në realitetin e politikës shqiptare ka rëndësi përcaktimi i prioriteteve. Personalisht nuk di të ketë prioritet më të madh se largimi i Sali Berishës një orë e më parë nga qeverisja e vendit. Kjo është tashmë një detyrë patriotike për cilindo që pranon se vendi po rrëshqet çdo ditë në humnerën e krizës ekonomike, krizës së demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Rreth këtij prioriteti duhet të bashkohemi të gjithë. Keqqeverisja e Sali Berishës po dëmton edhe socialistët, edhe demokratët, edhe LSI-stët, edhe mbrojtësit e të drejtave të njeriut, edhe socialdemokratët, çamët, demokristianët, republikanët apo legalistët. Ajo po dëmton vendin duke e çuar atë drejt një pike të mezikthyeshme. Ky alarm nuk e pranon arsyetimin e llogoreve partiake, apo rreshtimin strikt për ngjyrat e programeve. Ky është qëndrim patriotik ndaj fateve të vendit.”
Ky është një mesazh pra që është përcjellë edhe nga të tjerë, ndonëse – përsëris – jo kaq qartë. Përveç kësaj, ka kohë, ndoshta muaj të tërë, që socialistët e kanë pushuar luftën kundër LSI-së e Ilir Metës. Edhe njerëz që aty brenda kanë mentalitetin e fajkoit, apo të tjerë që nuk para i pëlqejnë kompromiset e bëra mbi kurrizin e kredove morale që mund të kenë, kanë heshtur po njësoj. Ndonjë sulm që bëhet kundër LSI-së mbulohet e maskohet në “sulmin e madh” kundër mazhorancës e qeverisë. Ndërsa nisma e ligjërime publike që kanë për target LSI-në nuk para të sheh syri.
PS-ja pati një kongres të bujshëm, të komentuar nga shumë drejtime si të suksesshëm, dhe aty nuk u dëgjuan kritika në adresë të LSI-së. Kryetari Rama foli mbi një orë, dhe përmendi disa herë Berishën, por në asnjë rresht nuk përmendi ndonjë aleat të tij. Në frymën e tij, apo ndoshta në respekt të një fryme që është krijuar tanimë në mjediset e socialistëve, edhe për të tjerët mazhoranca ishte baras me PD-në e me Berishën në atë kongres.
Për ata që nuk besojnë se këto janë prova të qarta të një detante, ka dhe një provë tjetër. Qysh nga momenti që ka nisur gjyqi, ku Ilir Meta është i akuzuar për tangjente të kërkuara apo të shpërndara, është vënë re që socialistët kanë bërë sehir. Edhe pse gjyqi duket i pilotuar, dhe gjyqtarët të futur në xhep (me ndonjë përjashtim), edhe pse ajo që po ndodh ngjan me një farsë, askush nga PS-ja nuk ka ngritur zërin për ta denoncuar këtë situatë. Dikush ka lënë të kuptohet se “nuk po e ngremë zërin, pasi janë institucionet që duhet të flasin tani”. Nuk kanë folur pra, ngaqë kanë medemek respekt për institucionet e drejtësisë. Kjo afërmendsh nuk hahet nga askush. Të gjithë e dimë se, sikur ky gjyq të zhvillohej ca muaj më parë, gjyqtarët e Gjykatës së Lartë do të kryqëzoheshin e do të denigroheshin faqe botës. Të ish ndryshe, Rama sot nuk do t’u vërsulej gjykatave për dënimet që u kanë dhënë deputetëve me akuzën si shpifës. Dhe e bukura është që, megjithëse foli për gjyqtarët e blerë nga pushteti, nuk i zuri në gojë ata të Gjykatës së Lartë. As gjyqin e Metës.
Çfarë po ndodh? Duket se socialistët po bëhen më praktikë. Ata po marrin masa për zgjedhjet e ardhshme, gjë që duket dhe te rikompaktësimi i forcave nga brenda, te fokusimi në kohë mbi reformën zgjedhore, te nënvizimi programor i opozicionit që po bëjnë etj., por të gjitha këto janë thjesht ca garanci më shumë, e jo garanci absolute për fitoren. Garancitë absolute vijnë prej llogarive aritmetike. Dhe aritmetika thotë se një koalicion PS-LSI e dërrmon Berishën.
Është i mundur një koalicion i tillë para zgjedhjeve? Në fakt, ca muaj më parë ka qenë krejt i pamendueshëm, ndërsa tani shihet si një gjë jo edhe aq e lehtë. Ka qenë kjo detantë mes dy partive që ka bërë që gjëja e pamundur të shihet tanimë si një gjë e vështirë. Dhe kalimi nga gjëja e pamundur te gjëja e vështirë është më i mundimshëm se sa kalimi nga gjëja e vështirë te gjëja e mundur.
Vihet re kollaj që në këtë analizë po refuzoj të merrem me pyetjen: a është e udhës të bëhet një koalicion i tillë; thjesht po përpiqem të gjej një përgjigje për pyetjen: a është e mundur? E në këtë kuptim, duhen kërkuar pak edhe arsyet e LSI-së për të ndërruar krah. Mendohet se nuk ka arsye të tilla, por në fakt ka. Dhe kuptohet që nuk janë të natyrës ideologjike, programore etj., (Ilir Meta nuk i fut fare variabla të tillë në arsyetimet e veta). Duket qartë se Ilir Meta nuk ndihet mirë në këtë koalicion. Sali Berisha ka ndarë byrekun, dhe i ka lënë atij pjesën e vet, por puna është se ish-kryeministri socialist kërkon diçka më tepër se sa kaq. Ai kërkon të ketë ndikim politik në mazhorancë, rrjedhimisht në vend. Dhe me Berishën këtë ndikim nuk e ka. Meta kurrë më parë nuk ka qenë kaq pa zë në skenën politike dhe mes ambasadorëve e ndërkombëtarëve. Kjo vjen prej natyrës së paktit të heshtur që ka lidhur me Berishën, i cili e ka lënë atë të kuptojë, se “mund të bëjë ç’të dojë me pjesën e byrekut, por e ka të ndaluar të ketë zë e të thotë ‘jo’ për ndonjë gjë”. Meta në këtë koalicion nuk ka pasur e nuk ka ndonjë ndryshim nga Astrit Patozi.
Arsyeja e dytë mund të ketë të bëjë me faktin që një ikje e Berishës në përfundim të mandatit të dytë është një gjë logjike, prandaj dhe e sponsorizueshme, në mos e sponsorizuar, nga ndërkombëtarët. Mendja ta thotë se në garën e ardhshme mes Ramës e Berishës, era ka për të fryrë në favor të të parit. Dhe Meta është në situatën që i duhet të shkojë andej nga fryn era. Arsyeja e tretë ka të bëjë me një feeling “kulturor” që ai ka me krahun tjetër, atë të socialistëve. Unë nuk njoh PS-ist më të përsosur se sa Ilir Meta.
Nuk mund të mohohet që ka edhe arsye të mira për të qëndruar aty ku është, por fakti që edhe ai ka adoptuar politikën e “jo sulmit” ndaj socialistëve do të thotë se një koalicion me ta është duke e çuar nëpër mendje. Do duhej ndoshta një negociator i besueshëm dhe një moment i përshtatshëm, që ta bënte Ramën të bëhej tok me Metën, dhe anasjelltas. Por në këtë mes do të ish gabim të mendohej se negociatori do të mund të gjendej më lehtë se sa momenti i përshtatshëm. Jo, ata kanë nevojë më shumë se për çdo gjë tjetër për një ndërmjetës serioz e të besueshëm, por cili është ai njeri që pranon të lërë reputacionin e besueshmërinë e vet peng të lojërave të njerëzve të tillë, të cilët e vetmja gjë që dinë të bëjnë është të dyshojnë te sho-shoqi e t’ia dredhin njëri-tjetrit?
Gazeta "Shqip"