Mitrovicë, 16 nëntor 2011, NOA – Ndërsa pritet që dialogu teknik të vijojë aty ku ka mbetur, me nënshkrimin e marrëveshjeve të radhës, serbët e veriut të Kosovës kërkojnë anullimin e të gjitha marrëveshjeve të nënshkruara deri tani, mes Beogradit dhe Prishtinës me ndërmjetësimin e BE-së në Bruksel, raporton agjencia e lajmeve NOA.al.
Lajmin e bëri me dije përmes një komunikate Këshilli i ashtuquajtur nacional i serbëve të Veriut të Kosovës (KNS), i cili deklaron se marrëveshjet e arritura janë në kundërshtim me interesat e serbëve dhe e bëjnë të pamundur bashkëjetesën e tyre në Kosovë.
Kreu i KNS-së, Millan Ivanoviç thotë se zgjidhja e propozuar rreth menaxhimit të përbashkët të kufirit, paraqet pranimin e plotë të pavarësisë së Kosovës, dhe si e tillë cënon interesat kombëtare dhe shtetërore të Serbisë.
Ai akuzon Presidentin serb Boris Tadiç se ka bërë një politikë të gabuar ndaj Kosovës, andaj ai duket se ka pranuar edhe humbjen e Kosovës.
“Kryetari Tadiç thotë se nuk mund të vihet në pikëpyetje vendimi i fuqive të mëdha dhe me këtë ai de fakto pranon humbjen e Kosovës, gjë që është kundër kushtetutës së Serbisë”, bën me dije komunikata e cituar nga Kosovapress.
mit/NOA