Prishtinë, 15 nëntor 2011, NOA- Zëvendëskryeministrja e Kosovës Edita Tahiri, takoi ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë Islam Lauka, ku u diskutua për thellimin e bashkëpunimit mes dy shteteve.
Në vijim të bisedës mes tyre u vlerësuan raportet e shkëlqyera Kosovë- Shqipëri, ku u theksua se dy shtetet kanë mundësi të mira të bashkëveprojnë në rrugën e integrimeve europiane.
Tahiri tha se Kosova është duke punuar maksimalisht në rrugën e saj drejt integrimeve euroatlantike.
Ndërkaq u vlerësua lartë gatishmëria e Kosovës për dialogun teknik si një vlerë që kontribuon në rrugën europiane.
Tahiri tha se edhe Bashkimi Europian ka konstatuar se Kosova po kryen obligimet e saj që dalin nga marrëveshjet e arritura në Bruksel, ndaj kërkon edhe marrjen e marrëdhënieve kontraktuale me BE-në. Ndërkaq, u vlerësua se data 20 nëntor është koha e fundit kur duhet të nis Serbia së zbatuari marrëveshjet e arritura në Bruksel.
Nga ana e tij, ambasadori Lauka tha se Qeveria e Shqipërisë e mbështet plotësisht dialogun teknik midis Kosovës dhe Serbisë, dhe angazhohet që këto marrëveshje të zbatohen në praktik.
a.y/NOA