English

Thaçi: Të vendosur për axhendën europiane dhe liberalizimin e vizave

Prishtinë, 15 nëntor 2011, NOA- Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi priti sot në takim një delegacion të përbërë nga deputetë të Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe, të kryesuar nga Lord Bowness.

Gjatë takimit Kryeministri i njohu mysafirët me arritjet e institucioneve të vendit në konsolidimin dhe forcimin e shtetit të pavarur dhe demokratik të Kosovës, për përkushtimet për fuqizimin e qeverisjes së mirë, transparente, sundimin e rendit dhe ligjit, luftën e pakompromis ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kryeministri Thaçi shprehu vendosmërinë e Qeverisë për përmbushjen e plotë të kritereve dhe standardeve evropiane të integrimit. Në këtë drejtim, kryeministri Thaçi theksoi se Qeveria e Kosovës ka ndërmarrë hapa progresivë në përmbushjen e axhendës europiane, me theks të veçantë të përmbushjen e kritereve për liberalizimin e vizave.

Thaçi ka siguruar se institucionet e Kosovës në partneritet të plotë me bashkësinë ndërkombëtare do ta vendosin në plotësi rendin dhe ligjin në pjesën veriore të Kosovës, duke i hapur kështu perspektivë ndërtimit të jetës demokratike dhe zhvillimit ekonomik dhe mirëqenies sociale të qytetarëve tanë edhe në atë pjesë të vendit.

Nga ana e tij Lord Bowness, në emër të delegacionit të deputetëve të Unionit Ndër-Parlamentar të Britanisë së Madhe vlerësoi lartë marrëdhëniet mes dy vendeve dhe shprehu bindjen se roli i Britanisë së Madhe në mbështetjen e proceseve demokratike dhe zhvillimore në Kosovë, e posaçërisht të integrimit në BE do të forcohet edhe më tej.

Në përfundim nga ana e të dy palëve u theksua se perspektiva e Kosovës është perspektiva e integrimit europian dhe e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik.

a.y/NOA

KOMENTE