Tiranë, 16 nëntor 2011, NOA – Mazhoranca ka akuzuar kryetarin e PS-së, Edi Rama se me qëndrimin e tij ndaj drejtësisë shqiptare kërkon të fshehë frikën ndaj padive të bëra nga deputetët socialistë. Deputetja, Arenca Trashani tha në një deklaratë për median se akuzat e ashpra nuk janë frytdhënëse në kuadër të bashkëpunimit.
“Të sulmosh një institucion të pavarur nuk kontribuon aspak në një debat të mirëfilltë dhe nuk bën asnjë gjë për progresin e Shqipërisë. Gjuha e ashpër nuk vë në lëvizje atë për të cilën ne kemi rënë dakord apo që të kthejmë pas kohën e humbur prej dy vjetësh kur shqiptarët pritën për dy vjet përfundimin e bllokimi”, tha Trashani.
Sipas PD-së, të gjithë politikanët kanë përgjegjësi për respektimin e shtetit ligjor dhe respektimin e vendimeve të gjykatave.
“Halli i Zotit Rama nuk është dënimi i atyre deputetëve që nga përfaqësues i ka kthyer zyrtarisht në shpifës përsëritës, por frika e rrëzimit të shpifjeve”, tha Trashani.
a.q/NOA