Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA – Ministria e Ekonimisë dhe Energjitikës ka reaguar menjëherë sapo policia e Tiranës ka dalë me një variant zyrtar për arrestimet në drejtorinë e Metrologjisë, e cila është në varësi të kësaj ministrie.
“Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës ka ndjekur me vëmendje ngjarjen e ditës së sotme, ku policia ka arrestuar me akuzën për korrupsion disa zyrtarë të Drejtorisë së Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, institucion nën varësinë kësaj ministrie.
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës distancohet nga veprimet korruptive të çdo individi, i cili abuzon me detyrën e shtetit. Për METE-n, çdo person mban përgjegjësi individuale për punën dhe veprimet e tij”, thuhet në deklaratën zyrtare të ministrisë.
Në të thuhet gjithashtu se, METE do të nisë urgjentisht analizat e duhura jo vetëm në Drejtorinë e Përgjithshme të Metrologjisë dhe Kalibrimit, por edhe në të gjitha institucionet e tjera të varësisë, duke mare të gjitha masat e nevojshme, gjithmonë në mbështetje të një shteti ligjor dhe të së drejtës.
a.q/NOA