Gjirokastër, 17 nëntor 2011, NOA – Policia e Gjirokastrës u ka hequr të drejtën e mbajtjes së armëve të gjahut 10 personave me konflikte, që kryenin gjueti pa leje, ndërsa sekuestroi 22 çifte, raporton korrespondenti i agjencisë NOA.al.
Aksioni i bluve të qytetit jugor erdhi për shkak të shqetësimit të ngritur nga banorët e komunave malore të rrethit Gjirokastër, për prishjen e të mbjellave nga automjete tip Fuoristrada, që përdoren nga shtetas, të cilët kryejnë gjueti pa leje.
Pas ngritjes së shërbimeve të fshehta në zonën malore, policia e Gjirokastrës kapi në flagrancë 22 shtetas, të cilët kryenin gjueti pa leje nga shoqata e gjuetarëve.
Për 22 personat në fjalë ka nisur procedimi penal në gjendje të lirë, ndërsa u janë bllokuar armët e gjahut.
Policia vendosi t’u heqë të drejtën e mbajtjes së armëve vetëm dhjetë prej personave të ndaluar, për shkak se ata mbanin pa leje armët e gjahut, që ishin në pronësi të të afërmve të tyre që nuk jetojnë më.
Ky aksion do të shtrihet edhe në rrethin e Tepelenës dhe të Përmetit.
mit/NOA