Tiranë, 17 nëntor 2011, NOA/ Albana Qehajaj - Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Ambasadori Eugen Wollfarth, ka përshendetur ngritjen e komisionit, pak minuta pas votimit me konsensus në Kuvend.
“Shqipëria ka zgjedhur të ndërmarrë një rrugë konstruktive përpara. E mirëpres vendimin zyrtar të Kuvendit për ngritjen e një komisioni të posaçëm për reformën zgjedhore dhe përgëzoj të gjitha palët politike për angazhimin e tyre në dialogun e nevojshëm ndërpartiak për arritjen e këtij vendimi. Ky është një fillim inkurajues. Tani është e rëndësishme që të gjitha palët politike të vazhdojnë të punojnë në partneritet të vërtetë për të shënuar një progres real dhe thelbësor në çuarjen përpara të reformës zgjedhore dhe axhendës më të gjerë të reformave. I nxis anëtarët e komisionit që të garantojnë që procesi i debateve dhe vendimmarrjes të jetë i hapur, gjithëpërfshirës, konstruktiv dhe transparent. Partitë politike tani duhet të mbështesin miratimin e ndryshimeve të nevojshme legjislative për të pasqyruar rekomandimet e bëra nga Zyra e OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (OSBE/ODIHR), si dhe standarde të tjera ndërkombëtare përkatëse për zgjedhje demokratike. I nxis drejtuesit e partive kryesore politike të garantojnë që ky proces, tashmë në rrugë e sipër, të prodhojë një reformë të plotë dhe jetëgjatë deri në pranverën e vitit 2012, bazuar në një konsensus të gjerë. Prezenca e OSBE-së mbetet e gatshme të kontribuojë më tej në procesin e reformës zgjedhore dhe në pjesë të tjera të axhendës së reformave, në përputhje me mandatin e saj”, thuhet në njoftimin për shtyp të zyrës së OSBE-së në Tiranë.
a.q/NOA