Tiranë, 16 Nëntor 2011 NOA – Leka Zogu i Parë, pretendent i fronit mbretëror dhe princ trashëgimtar i ish-mbretit Zog, ndodhet në gjendje kritike për jetën në repartin e Reanimacionit të Spitalit të Neurokirurgjisë (njohur si spitali nr 5), në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza”.
Një burim nga QËSUT i tha agjencisë së lajmeve NOA se Leka Zogu, rreth 73 vjeç, mburritu në orën 01.00 të ditës së mërkurë në urgjencën e spitalit 5 në gjendje të rëndë.
Mësohet se Leka Zogu, vuan nga vështirësi në rrugët e frymëmarrjes në mushkëri, duke vuajtur njëkohësisht edhe nga anoreksia e theksuar. Mësohet po ashtu se Leka Zogu ka kaluar nj vibracion kardiak dhe temperatura e tij e trupit është ulur në rreth 35.2 gradë, kur mesatarja normale luhatet mes 36 deri 36.5 gradë.
Burimet në QSUT i thanë agjencisë NOA.al se gjendja e Leka Zogut mbetet kritike dhe në orët në vazhdim pritet të shihet nëse do të ketë përmirësime.
Mjekët tregojnë se kohët e fundit është hera e tretë që Leka Zogu përfundon për mjekim në spital por ndryshe nga herët e tjera, këtë radhë gjendja e tij paraqitet më kritike.
Gjatë ditës së djeshme në Spitalin nr 5 gjendej i biri, Leka Zogu i dytë, si dhe familjarë të tjerë të princit që ndodhet në reanimacion duke pasur vështirësi edhe në të folur për shkak të gjendjes së rëndë.
a.y/NOA